Në 20 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, bashkë me familjen Rugova e ambasador të akredituar në Kosovë kanë bërë homazhe e kanë vendosur kurora lulesh pranë varrin të tij në Velani.
E para e shtetit tha se Rugova i dha gjithçka Republikës dhe bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi e demokraci .
“Sot është 20 vjetori i shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, njeriut që i dha gjithçka Republikës sonë dhe ndërtoi vizionin për të ecur përpara edhe brezat që do të vijnë pas nesh. Presidenti Rugova bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi e demokraci, kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës tonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleat tanë strategjik brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq, vizion ky që mbetet dritë udhërrëfyese për gjithsecilin prej nesh që e duam Kosovën akoma më të fortë e të integruar në strukturat euroatlantike, në familjen ku Kosova e populli i saj e ka vendin. Nderimi për presidentin Rugova do të jetë i përjetshëm dhe vizioni i tij do të rrojë për aq kohë sa do të rrojë edhe Kosova, përjetësisht”, deklaroi Osmani pas homazheve.
Bashkëshortja e ish-presidentit Rugova, Fana Rugova e falënderoi presidenten Osmani për organizimin e ceremonisë së përkujtimit në 20 vjetorin e vdekjes së Rugovës.
“E falënderoj shumë presidenten Osmani për këtë ceremoni që realizoi për nder të presidentit historik të Kosovës, Rugova. Faleminderit shumë presidente për të gjitha këto aktivitete”, tha Fana Rugova, pas homazheve që u organizuan nën patronatin e presidentes së shtetit Vjosa Osmani.







