Ballina Aktualitet Balluku skandal me portin e ri, BE dhe NATO të alarmuara nga...

Balluku skandal me portin e ri, BE dhe NATO të alarmuara nga korrupsioni në tenderim, Pirro Vengu pjesë e aferës

0
38

Në vitet e fundit, NATO ka paralajmëruar për përdorimin nga Rusia të taktikave hibride dhe ndikimit ekonomik për të minuar sigurinë euro-atlantike, përfshirë rreziqet ndaj infrastrukturës kritike. Një nga mënyrat për të depërtuar në infrastrukturën kritike është përdorimi i kompanive offshore, të cilat mbulojnë pronarët e vërtetë. Sipas të dhënave publike, në projektin e portit të ri të Durrësit shfaqet një kompani offshore e regjistruar në Qipro, e cila në të kaluarën ka pasur rol administrativ në struktura ku janë përfshirë edhe entitete të sanksionuara ruse.

Kjo kompani paraqitet aktualisht në dokumentacion si pjesë e strukturës administrative të projektit të Porto-Romanos, një infrastrukturë detare me rëndësi strategjike për një vend anëtar të NATO-s, ç’ka ngre pyetje mbi standardet e transparencës dhe verifikimit. Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se i gjithë procesi nga projektimi deri te faza finale për tenderin e ndërtimit të Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano mund të jetë një aferë e Belinda Ballukut dhe Pirro Vengut jo vetëm me pasoja në buxhetin e shtetit, por mund të rrezikojë marrëdhëniet me NATO-n për shkak të mungesës së transparencës nga qeveria shqiptare.

Pirro Vëngu la jashtë NATO-n në Porto Romano

Më 28 tetor 2025, në konferencën për shtypit për Portin e ri të Durrësit, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Autoritetit Portual Durrës, zv.kryeministrja, Belinda Balluku do të deklaronte se porti i Durrësit për qeverinë shqiptare ka qenë një prioritet. “Kemi kërkuar gjithmonë që të drejtohej nga profesionistë, të cilët jo vetëm njohin transportin, por nga ana tjetër me aftësinë negociuese me trupa ndërkombëtarë, pasi porti i ri i Durrësit, parashikohet dhe është në vullnetin politik të qeverisë shqiptare, që të jetë një bazë e NATO-s, një bazë e NATO-s e vendosur në zemër të Mesdheut dhe padyshim në Shqipëri, si aleati më besnik i kësaj force të jashtëzakonshme, bashkësie të jashtëzakonshme”, do të deklaronte Balluku. Deklaratat e saj janë kontradiktore sepse nuk përputhen me dokumentet zyrtare fillestare të tenderit për hartimin e projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano.

Në qershor 2021 Autoriteti Portual Durrës, asokohe nën drejtimin e Pirro Vëngut, sot Ministri aktual i Mbrojtjes, do të hapte garën për këtë tender me fond limit 1,14 miliardë lekë ose 11 milionë euro. Si shumica e tenderave me vlerë të lartë, edhe gara për këtë tender do të “njollosej”,  pasi do të shënohej me flamur të kuq nga “Openprocurement.al”, platformë e AIS-it. Sipas kësaj të fundit, flamuri i kuq paraqet dyshime për korrupsion, duke u favorizuar kompania fituese e tenderit nga Autoriteti Portual Durrës. Në rastin e Porto Romanos, të gjitha kompanitë do të skualifikoheshin, duke u shpallur automatikisht fitues bashkimi i kompanive të huaja dhe shqiptare “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V”, “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY LLC”, “ABKONS” shpk, “TAULANT” dhe “GEO-ENG” shpk me vlerë 952 milionë lekë. Propaganda se ky do të ishte një tender strategjik për Aleancën do të binte disa muaj pas lidhjes së tenderit pasi ish Drejtori Pirro Vëngu kishte lënë jashtë masterplanit NATO-n. Në shtator 2022, tenderit do t’i shtoheshin edhe 232 milionë lekë shtesë për bashkimin e kompanive fituese sepse duhet të realizohej dhe një bazë detare për NATO-n, duke dyfishuar periudhën e hartimit të projektit në 15 muaj, nga 8 muaj që ishte fillimisht.

Detajet

Sipas Autoritetit Portual Durrës, projekti i infrastrukturës i destinuar për akostimin e mjeteve detare dhe sheshet në shërbim për Forcat e Armatosura nuk i përmbahej kapaciteteve të kërkuara nga NATO. Vetë dokumenti pranon se kapacitetet e parashikuara në masterplanin fillestar nuk përmbushnin kërkesat e Aleancës për akomodimin e mjeteve detare aleate, përfshirë anije të tonazhit të rëndë si Destroyer-at. Kjo do të thotë se, në momentin e hartimit dhe nënshkrimit të kontratës fillestare, projekti nuk ishte teknikisht i gatshëm për përdorim nga NATO, pavarësisht deklaratave publike. Dokumenti i tenderit tregon se kjo nuk ka qenë e reflektuar në projektimin fillestar dhe është formalizuar vetëm përmes një shtese kontraktore gjatë zbatimit. Sipas Kapitenit të Rangut të Parë Artur Meçollarit, ky port ka mangësi në planifikim. “Porto Romano u doli si alternativë, në momentin që u dha porti i Durrësit. Pra, për të liruar portin e Durrësit, duhet një port tjetër dhe u shpik historia e Porto Romanos, projekt i cili u bë pa vizibilitet. Nuk kemi në dorë një studim fizibiliteti. Atëherë, pas kësaj, kryeministri  për t’i dhënë një lloj vizibiliteti, një lloj qëndrueshmërie Porto Romanos, shpiku historinë e portit të NATO-s, e bazës së NATO-s në Porto Romano”, deklaroi ish zv. shef i Forcave Detare Artur Meçollari. Sipas Meçollarit, një qasje e NATO-s në Porto Romano, do t’i jepte portit qëndrueshmëri dhe fizibilitet. Në fakt, ish zv.Shefi i FD-së Meçollari ka të drejtë që nuk ka një studim fizibiliteti për portin e ri. “Vetting” i bëri kërkesë zyrtare Autoritetit Portual Durrës për studimin e fizibilitetit për këtë projekt, por Autoriteti refuzon të na vendosi në dispozicion dokumentin. Duke shfletuar të dhënat publike rezulton se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Portual për tenderin e hartimit të projektit ka favorizuar bashkimin e kompanive pasi “TAULANT” shpk dhe “GEO-ENG” shpk nuk plotësojnë kriteret për xhiron vjetore, e cila duhet të jetë 458 milionë lekë të paktën në njërin nga vitet 2018, 2019 ose 2020. Ky fakt zbulohet nga vetë institucioni, i cili për të njëjtën arsye që ka skualifikuar bashkimin e kompanive “ROGAN ASSOCIATES EL”, “MOFFAT & NICHOL” dhe “INFRAPLAN”, nuk ka skualifikuar grupin e kompanive fituese.

Porti i Ri përplas qeverinë me aleatët perëndimorë

Nga tenderi i projektimit te tenderi për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano do të ndodhnin disa ndryshime në ligjin për Prokurimin Publik në vitin 2024, që do të përcaktonin drejtpërdrejt procesin për tenderat dhe ndërtimin e këtij porti. Në qershor 2024, qeveria shqiptare do të autorizonte Autoritetin Portual të Durrësit për të negociuar drejtpërdrejt dhe për të lidhur marrëveshje konsulence me kompaninë ndërkombëtare hollandeze “Royal Haskoning DHV”, brenda fushës së kompetencës së saj, një fushë me interes strategjik për proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes së portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano. Pra, kompanisë që ka hartuar projektin teknik, do t’i caktoheshin edhe proceset e tjera duke vendosur për çdo gjë tjetër dhe duke ngritur dyshime për konflikte interesi pasi kompania që hartoi  projektin, do të ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shpalljen e fituesve për ndërtimin e portit. Ajo që ngre pikëpyetje për këtë projekt është fakti, që ky port të ketë kapacitete të mëdhaja, duhet të ketë lidhje me hekurudhën, gjë që nuk e ka. Përtej këtyre problemeve, qeveria shqiptare për vendosjen e infrastrukturës hekurudhore do të duhet të bëjë investime shtesë për këtë port. Do të ishte ky projekt madhështor që do të sillte një përplasje indirekte midis Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare.

Në raportin e fundit 2025 të Komisionit Europian vihet theksi te dispozita kalimtare në ligjin e ri për Prokurimin Publik, që autorizon institucionet publike të qeverisë qendrore të negociojnë dhe të lidhin marrëveshje ndërkombëtare konsulence në zona me interes strategjik. Sipas Bashkimit Europian, ky ndryshim në ligjin e Prokurimit Publik mbyll konkurrencën pasi vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me përputhshmërinë e saj me modelin e Bashkimit Europian dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Sipas raportit, në thelb dokumentet e tenderit krijojnë një pamje të përbashkët, Porto Romano është trajtuar si projekt strategjik në nivel politik dhe gjeopolitik, por kjo strategji nuk është reflektuar që në fillim në projektimin teknik dhe procedurat e prokurimit.

Sipas ish zv.shefit të Forcave Detare Artur Meçollari, ky projekt ka sjellë mosdakordësi midis Bashkimit Europian dhe qeverisë. “Bashkimi Europian e ka kontestuar çështjen e portit të Durrësit, për mënyrën se si është tenderuar sepse bie ndesh me nenin 73 të marrëveshjes së Asiociim-Stabilizimit. Si e tillë, këto kanë çuar në dështimin deri tani të projektit të Porto Romanos dhe unë jam i bindur që projekti i Porto Romanos nuk do të realizohet asnjëherë, sepse ai nuk është fizibël dhe nuk është një projekt, i cili do t’i rezistojë kohës”, u shpreh ish zv. Shefi i FA-së Meçollari. Ai shton më tej se NATO ka pesë vite që studion Pashalimanin dhe Porto Romano është hedhur poshtë nga ata. “NATO konsideron si portë hyrëse portin e Durrësit aktual, jo Porto Romanon, pavarësisht çfarë tha kryeministri Edi Rama që do ta japi me koncesion.

Edhe Bashkimi Europian shikon akoma si portë hyrëse portin e Durrësit dhe jo Porto Romanon”, tha Meçollari. Raporti i Komisionit Europian thekson se pavarësisht planeve zyrtare, nuk janë ndërmarrë hapa konkret për zhvendosjen e aktivitetit tregtar nga portet ekzistuese drejt Porto Romanos, ndërkohë që qeveria ka vendosur ta financojë projektin përmes buxhetit të shtetit dhe jo një partneriteti publik-privat. Të njëjtin qëndrim si Meçollari përsa i përket prezencës së NATO-s në portin e ri në Porto Romano ka edhe urbanisti Artan Kaçani. “Për momentin NATO nuk ka pranuar që të pozicionohet në këtë lloj porti, për vetë faktin e problemeve sizmike që ndodhen aty, por njëkohësisht edhe të problemeve që thamë pak më parë, të fushës së karburanteve, e cila do e bënte shumë të vështirë mbrojtjen ushtarake në një kusht të tillë”, deklaroi për urbanisti Kaçani. Ai vazhdon më tej se mungon infrastruktura kyç, që është infrastruktura hekurudhore dhe që duhet të ishte aset i ofruar nga shteti shqiptar. Mënyra e planifikimit të qeverisë shqiptare ngre pikëpyetje për projektin, kur vetë zona për ndërtimin e Portit të ri ka probleme me aktivitetin e lartë sizmik.

“Janë përpjekur përpara disa viteve të ndërtojnë platformën e betonit dhe të rrugës, kanë ngulur kolonat prej 20 metrash dhe kolonat pilota i ka përpirë toka. Janë zhdukur kolonat. Këtu kuptojmë që bashkimi i pllakave tektonike, nuk është një shaka. Është diçka shumë serioze, e cila nesër do të vendosë në rrezik të gjitha investimet”, tha urbanisti Kaçani.

Sipas urbanistit Kaçani, firmat e ndërtimit të cilat kanë marrë përsipër ndërtimin e portit të Durrësit, tashmë janë duke gërryer pjesën veriore të kodrës së Durrësit, për të gjetur një bazament gjithmonë e më të qëndrueshëm, që të vendosin kalatën dhe hyrjen e portit./sot