Ballina Europë Bullgaria zgjedh për herë të parë një presidente femër

Bullgaria zgjedh për herë të parë një presidente femër

0
20

Bullgaria ka zgjedhur për herë të parë në historinë e saj një presidente femër. Zëvendëspresidentja Iliana Yotova ka marrë zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës, pas pranimit të dorëheqjes së presidentit Rumen Radev.

Vendimi u mor nga Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë, e cila miratoi dorëheqjen e Radevit, duke i hapur rrugë kalimit automatik të kompetencave presidenciale te Yotova, në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Sipas raportimeve, Iliana Yotova merr menjëherë funksionet e presidentes, pa qenë e nevojshme të bëjë një betim të ri para Asamblesë Kombëtare, pasi betimin e kishte dhënë që në vitin 2021, kur u zgjodh Zëvendëspresidente. Gjatë mandatit të saj, nuk do të emërohet një zëvendëspresidente e re.

Yotova e ka nisur karrierën publike si gazetare, përpara se t’i bashkohej Partisë Socialiste Bullgare. Ajo ka qenë deputete në Parlamentin Bullgar dhe më pas Anëtare e Parlamentit Evropian, duke ndërtuar një profil të fortë politik në nivel kombëtar dhe evropian.

Prej nëntë vitesh, Iliana Yotova ka shërbyer si Zëvendëspresidente e Bullgarisë, çka ka garantuar vazhdimësi institucionale në marrjen e detyrës së re.

Të premten pasdite, Rumen Radev u largua nga pallati presidencial në një ceremoni zyrtare, i shoqëruar nga pasardhësja e tij. Ai kishte njoftuar dorëheqjen më 19 janar, duke u bërë presidenti i parë në historinë moderne demokratike të Bullgarisë që largohet nga detyra përpara përfundimit të mandatit.