Ballina Rajoni Kamberi: Me pasivizimin e adresave, synohet ndryshimi i strukturës etnike

Kamberi: Me pasivizimin e adresave, synohet ndryshimi i strukturës etnike

33
0

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ngre shqetësimin për shkeljen sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar pasivizimin e adresave si një formë të diskriminimit politik të organizuar nga institucionet shtetërore.

Sipas Kamberit, pasivizimi administrativ i vendbanimeve, i cili zbatohet pothuajse ekskluzivisht ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe veçanërisht në Medvegjë, nuk është praktikë administrative, por një mekanizëm i qëllimshëm për zvogëlimin e ndikimit politik të shqiptarëve dhe ndryshimin afatgjatë të strukturës etnike të rajonit.

Në intervistën dhënë për “Novi Magazin” të Beogradit, ai thekson se kjo praktikë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave.

Kamberi, i cili është edhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), partisë më të madhe shqiptare në Luginë, paralajmëron se pasojat e kësaj politike janë të rënda dhe shkatërruese për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.

Me pasivizimin e adresës, qytetarët humbin të drejtën e votës, kujdesin shëndetësor, ndihmat sociale, mundësinë e punësimit dhe dokumentet personale, duke u përjashtuar praktikisht nga sistemi shtetëror. Së bashku me mosnjohjen e diplomave, kjo formë e dhunës së heshtur administrative, sipas tij, nxit shpërnguljen dhe shkatërron familje të tëra.

Në këtë kontekst, Kamberi thekson se Serbia nuk mund të pretendojë të jetë shtet demokratik përderisa shkel sistematikisht të drejtat e një komuniteti të tërë dhe se në këto rrethana nuk mund të ecë drejt integrimit evropian.

Duke folur për protestat studentore dhe qytetare, Kamberi vlerëson se ato përfaqësojnë një shprehje autentike të pakënaqësisë së thellë shoqërore ndaj modelit autoritar të qeverisjes.

Megjithatë, ai nënvizon se protestat nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shndërrohen në kërkesa të qarta politike, organizim dhe një alternativë reale demokratike. Pa një diskontinuitet me regjimin aktual dhe të kaluarën, sipas tij, ekziston rreziku që pushteti t’i mbijetojë protestave dhe autoritarizmi të forcohet edhe më shumë.