Ballina Aktualitet Monitorimi i rrugëve me kamera, gati rregullat për sistemet inteligjente të trafikut,...

Monitorimi i rrugëve me kamera, gati rregullat për sistemet inteligjente të trafikut, informim në kohë reale

32
0

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar udhëzimin që përcakton mënyrën se si do të zbatohen sistemet inteligjente të transportit në të gjithë rrjetin rrugor të vendit.

Dokumenti parashikon krijimin dhe funksionimin e këtyrë shërbimeve për informacionin në kohë reale për trafikun, udhëtimet multimodale, sistemet e paralajmërimit të hershëm, eCall, që është thirrja automatike e emergjencës nga automjetet, si dhe shërbimet për parkimet e sigurta për automjetet tregtare. Të dhënat rrugore dhe të trafikut do të bëhen të aksesueshme për publikun dhe operatorët përmes Pikës Kombëtare të Aksesit, të administruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Dokumenti vendos detyrime të reja për institucionet publike dhe operatorët privatë, për përditësimin, ndarjen dhe standardizimin e të dhënave mbi rrjetin rrugor, qarkullimin, incidentet, si dhe infrastrukturën e transportit. Udhëzimi thekson gjithashtu mbrojtjen e të dhënave personale, duke kërkuar që informacionet e mbledhura nga sistemet inteligjente të jenë të anonimizuara ose të pseudonimizuara, sipas legjislacionit në fuqi.

Udhëzimi synon të afrojë vendin tonë me standardet e Bashkimit Europian për menaxhimin modern të trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore. Ndërkohë që, miratimi i tij vjen pas raportit vjetor të Komunitetit të Transportit, që vlerësonte se në fushën e sistemeve inteligjente të transportit, Shqipëria ka arritur një nivel zbatimi prej 44 %. Sipas këtij raporti, Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është ndërtuar dhe pajisur, ndërsa vijojnë punimet për instalimin e kamerave dhe sistemeve inteligjente të transportit përgjatë rreth 200 kilometrave të rrjetit rrugor kryesor.