Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me projektligjin “Për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, se aktualisht janë nënshkruar gjashtë kontrata për krijimin e gjashtë kompanive të përbashkëta shtet–privat, përmes kompanisë shtetërore KAYO dhe gjashtë operatorëve privatë.
Në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, mbi zhvillimet në industrinë e prodhimit të armëve, ministri Vengu bëri të ditur se, këto kontrata parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidron, si edhe mjeteve për emergjencat civile.
Ministri bëri me dije gjithashtu se, janë në fazën përfundimtare negociatat me kompaninë “Fincantieri” për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit, në bashkëpunim me gjigantin italian.
“Ky projekt synon jo vetëm prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcat e Armatosura shqiptare, por edhe prodhimin dhe riparimin e mjeteve për nevojat e vendeve aleate”, tha Vengu.
Vengu u shpreh se pritet që produktet e para ‘Made in Albania’ të nisin prodhimin që këtë vit.
“Presim që produktet e para ‘Made in Albania’ për mjetet taktike, mjetet e emergjencave, uniformat dhe municionet, të nisin prodhimin që këtë vit”, u shpreh Vengu.
Ai theksoi se vendi ka hyrë në një fazë ku synohet sigurimi i një zinxhiri furnizimi të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet e prodhimit ushtarak, në mënyrë që Shqipëria të jetë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe politikat kombëtare, duke respektuar preferencat dhe bashkëpunimin me vendet aleate.







