Ballina Ekonomia REAGIMI/ Po ikën janari, mjekët dhe infermierët me sytë nga bankomati për...

REAGIMI/ Po ikën janari, mjekët dhe infermierët me sytë nga bankomati për pagat e dhjetorit

22
0

Infermierët dhe një pjesë e stafit mjekësor në Shqipëri ende nuk kanë marrë pagën e muajit dhjetor 2025. Edhe data 22 janar 2026 ka kaluar pa asnjë pagesë, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin, sikur të bëhej fjalë për një problem dytësor dhe jo për jetesën e mijëra familjeve.

Shqetësimi është ngritur publikisht nga Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, e cila denoncon vonesat e përsëritura të pagave, mungesën e informacionit dhe mungesën totale të transparencës nga autoritetet shtetërore. Sipas shoqatës, punonjësit e shëndetësisë janë lënë pa shpjegime, pa siguri financiare dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale.

Në deklaratën e saj, Shoqata kritikon ashpër jo vetëm institucionet përgjegjëse, por edhe sindikatat, të cilat, sipas saj, reagojnë në mënyrë selektive dhe të lidhur me interesa personale apo politike, e jo për mbrojtjen reale të punonjësve. “Më e turpshme se moskalimi i pagës është heshtja që ka kapluar çdo individ, punonjës dhe institucion. Punonjësit heshtin nga frika e presioneve dhe kërcënimeve për largim nga puna, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar dhe premton vetëm rritje page simbolike, në formë lëmoshe”, thuhet në deklaratë.

Sipas Shoqatës, kjo situatë nuk është e izoluar. Vonesat e pagave janë kthyer në një praktikë të përsëritur prej vitesh, duke detyruar infermierët dhe stafin mjekësor të vazhdojnë punën në vijën e parë, pa pasur asnjë siguri për të ardhurat e tyre dhe duke pritur çdo muaj me “sytë nga banka”.

Burime për Ekofin.al nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza njoftojnë se edhe për mjekët, infermierët dhe stafin administrativ të QSUT-së, data 22 janar ka kaluar pa u ekzekutuar paga e muajit dhjetor. Sot (e premte) është dita e fundit e javës dhe shumë punonjës shpresojnë ende se pagesa do të kryhet, ndonëse, sipas të njëjtave burime, kjo është një situatë që përsëritet pothuajse çdo vit. “Ajo që është më e keqja, askush nuk flet”, pohojnë burimet nga QSUT për Ekofin.al. Problemet janë për mjekët e spitaleve, pasi mjekët e familjes dhe ata të qendrave shëndetësore e kanë marrë pagën e dhjetorit.

Në një sektor të goditur prej vitesh nga skandale, keqmenaxhim dhe raste të shumta abuzimi me fondet publike, vonesa e pagave për punonjësit e shëndetësisë shihet nga vetë ata si një padrejtësi e rëndë morale dhe profesionale. “Është turp që pas kaq shumë vjedhjesh të denoncuara në shëndetësi, ende nuk ka fonde për të paguar në kohë ata që janë fronti i parë në çdo situatë që kalon vendi”, thekson Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë.

Deri më tani, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me vonesat e pagave, ndërsa përgjegjësia për këtë situatë mbetet e paqartë. Ndërkohë, mijëra punonjës të shëndetësisë vijojnë të punojnë në kushte të vështira, pa u shpërblyer as për mundin bazë mujor, duke shpresuar që ky fenomen të mos përsëritet më, edhe pse realiteti i viteve të fundit tregon të kundërtën.