Ballina Kuriozitete Syze inteligjente për demencën: Teknologjia që ndihmon pacientët me Alzheimer të kujtojnë...

Syze inteligjente për demencën: Teknologjia që ndihmon pacientët me Alzheimer të kujtojnë emra

17
0

Një kompani ka zhvilluar një palë syze inteligjente që synojnë të ndihmojnë personat me demencë të kujtojnë emra dhe të ruajnë sigurinë në jetën e përditshme.

Syzet, të pajisura me një mjet inteligjence artificiale të quajtur Cross Sense, janë krijuar si një “ankorë e butë” për të mbështetur personat që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit në aktivitetet e përditshme.

Të zhvilluara nga Animorph Co-operative, pajisja jo vetëm që identifikon atë që ndodhet përpara përdoruesit, por gjithashtu i udhëzon ata hap pas hapi në kryerjen e detyrave të zakonshme. Qoftë për t’u kujtuar takimet mjekësore, për të gjetur çelësat apo për të ndjekur rutinat ditore, kjo teknologji mund të përmirësojë ndjeshëm jetën e miliona personave që jetojnë me demencë.

Të pajisura me mikrofon dhe ekran të drejtpërdrejtë, syzet janë në gjendje t’u tregojnë përdoruesve emrat e familjarëve, mjekëve apo kujdestarëve, pasi regjistrojnë identitetin e personave më të rëndësishëm për ta.

Shoqëruesja e tyre digjitale, një asistente inteligjente e quajtur Wispy, ofron gjithashtu mbështetje emocionale, kontakte të rregullta, ndihmon në menaxhimin e takimeve dhe madje regjistron ritmet e përditshme të jetës së përdoruesit.

Sipas zhvilluesve, tre në katër persona me faza të ndryshme të demencës që kanë përdorur syzet kanë përjetuar përmirësime domethënëse që pas përdorimit të parë.

Rosalind Tranter, një dentiste e pensionuar që jeton me demencë, tha se pajisja e ka ndihmuar të mos ndihet si barrë për djalin e saj 30-vjeçar, Joshua.

“Nëna ime kishte prirje të largohej,” tha ajo për The Times. “Dil­te dhe nuk arrinte të gjente rrugën për t’u kthyer në shtëpi.”

“Ajo që dua është të vazhdoj të jetoj në apartamentin tim dhe të mos jem barrë për djalin tim. Mendoj se teknologjia si kjo mund të më ndihmojë ta bëj këtë. Më ndihmon të ruaj pavarësinë dhe nuk më trajton me përçmim.”

Szczepan Orlins, arkitekt softuerësh në Animorph, tha se kompania synon të “sfidojë” sëmundjen dhe jo thjesht ta zbusë atë. Ai theksoi se vizioni i projektit është bërë i mundur falë përparimeve të fundit në inteligjencën artificiale dhe zhvillimit të syzeve inteligjente ultra të lehta.

Falë këtij kombinimi, një ide që fillimisht u konceptua me helmeta realiteti virtual është shndërruar tashmë në syze elegante inteligjente, të krahasueshme me produktet e markave luksoze të modës.

Softueri pritet të dalë në treg si aplikacion deri në fund të vitit 2026 dhe do të mund të instalohet në syzet ekzistuese, të cilat aktualisht kushtojnë mbi 700 paund. Animorph planifikon të tarifojë rreth 50 paund në muaj për përdorimin e aplikacionit.

Megjithatë, pajisja ka edhe mangësi. Kur gazetarët e The Times e testuan duke përgatitur një filxhan çaji, syzet i udhëzuan që fillimisht të nuhasnin qumështin, më pas të shtonin ujin e vluar dhe në fund qesen e çajit – një rend jo plotësisht korrekt.

Syzet janë një nga pesë projektet e përzgjedhura në listën e shkurtër për Longitude Prize on Dementia, një iniciativë që synon të financojë teknologji që ndihmojnë personat me demencë të jetojnë sa më të pavarur.

Pesë projektet finaliste, të përzgjedhura nga qindra iniciativa në mbarë botën, kanë përfituar secili nga 300,000 paund për të zhvilluar më tej idetë e tyre.

Mes tyre përfshihen SenS2, një qendër Wi-Fi e projektuar në Britani që regjistron modelet e lëvizjes pa përdorur kamera invazive; Australian Memory Aid, një pajisje që ndihmon përdoruesit të lidhen me familjarët përmes video-thirrjeve; projekti amerikan Theora 360, i cili synon të zbulojë dhe parashikojë rëniet; si dhe Autonomous, një aplikacion portugez që regjistron rutinat shtëpiake për të krijuar një mjedis më të sigurt.

Fituesi i çmimit prej 1 milion paund pritet të shpallet në muajin mars të këtij viti.