Ballina Europë Trafik njerëzish nga Belgjika në Angli, dënohet me 10 vite burg 33-vjeçari...

Trafik njerëzish nga Belgjika në Angli, dënohet me 10 vite burg 33-vjeçari shqiptar

27
0

Një 33-vjeçar shqiptar, Ibrahim Sollaku, është dënuar me 10 vite burg, pasi akuzohet se ka trafikuar emigrantë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas mediave të huaja, Sollaku u deklarua fajtor për organizimin e një rrjeti kriminal për të sjellë emigrantë shqiptarë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë procesit gjyqësor, ai ka pranuar se kishte bashkëpunuar me individë të tjerë për të transportuar pesë emigrantë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar në nëntor të vitit 2025.

Bëhet me dije se ai urdhëroi një shofer taksie që të çonte emigrantët në një port belg, ku ata do të ngarkoheshin në një kamion për të kaluar në Kanalin e La Manshës. Pasi të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar, një tjetër shofer taksie do t’i merrte dhe ata do të shpërndaheshin nëpër komunitet.

Në 5 nëntor, policia belge ndërhyri dhe arrestoi shoferin e taksisë dhe pesë emigrantët shqiptarë në qytetin e Bryzhit. Sollaku u arrestua po atë ditë në Mbretërinë e Bashkuar nga oficerët e Njësisë Rajonale të Krimeve të Organizuar në Jugperëndim.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së Sollakut, policia gjeti 105 gram kokainë të mbështjellë në plastmasë, si dhe 36 gram të tjera të shpërndara në 94 tube plastike. Po ashtu, u gjetën shënime të shkruara dhe shuma të parave që dyshohet se lidhen me trafikun e lëndëve narkotike.