Apeli i Posacëm ka rrëzuar të shtunën ankimimet e tetë anëtarëve të grupit kriminal “Rraja”, duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ta.
Ky grup kriminal u godit disa javë më parë nga SPAK, si rezultat i hetimeve të kryera pas zbardhjes së aplikacionit të koduar Sky ECC. Sipas organit të akuzës, dyshohet se grupi ka kryer tre episode trafiku droge, dy prej të cilave me marihuanë dhe një me kokainë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të grupit.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale. Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1. Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
2. Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026.







