Në protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar, aktivistja Eva Metaj dërgoi mesazhe të qarta ndaj qeverisë Rama, ‘se i erdhi fundi!’
Prania e saj në protestë nuk është vetëm për një parti politike, por për kauza më të mëdha, tha ajo.
“Sot jam këtu për dinjitetin, për drejtësinë, për të ardhmen. Sot jam këtu për t’i dhënë shuplakën e merituar shtetit që i kthen shpinën qytetarit të ndershëm dhe i hap rrugën padrejtësisë”, deklaroi Metaj.
Me një ton të prerë, ajo theksoi se nuk ishte as e frikësuar dhe as e dorëzuar, duke sjellë në vëmendje një mësim historik:
“Kur populli çohet në këmbë, asnjë pushtet nuk është i përjetshëm.”
Metaj kritikoi ashpër qeverinë e cila la pas dore sistemin arsimor.
“Ju na kërkoni rezultate europiane, por na ofroni kushte afrikane”, tha ajo, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama. Ajo argumentoi se një shtet që e detyron një mësues të mendojë për mbijetesë, nuk mund t’i kërkojë atij të ndërtojë të ardhmen
“Mësuesit nuk rrisin vetëm nxënës, ata rrisin ndërgjegje. Dhe kur ndërgjegja zgjohet, asnjë pushtet nuk e ndal dot”, pohoi aktivistja, duke shtuar se “historia ka treguar se librat kanë rrëzuar më shumë diktatura sesa armët”.
Fjala e Eva Metajt
Të nderuar qytetarë, të nderuar demokratë dhe demokrate, i nderuar lider historik i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha.
Unë jam Eva Metaj dhe pse besoj se ju të gjithë më njihni, sepse në këtë shesh kam dalë për herë të parë kur kam qenë 17 vjeç dhe sot jam 27. Unë i kushtova vitet më të bukura të jetës time luftës për të drejtën dhe të vërtetën.
Dhe me vitet kuptova sa betejë e vështirë që ishte. Sa betejë e vështirë ishte të ishe një e re plot ëndrra dhe vizion dhe të luftoje për të drejtën dhe të vërtetën. Sa e vështirë ishte dhe është të jesh një i ri opozitar, por që vitet nuk të kanë lodhur.
Por ëndrrat nuk t’i kanë ndalur, por të kanë forcuar dhe të kanë bërë të ëndërrosh më shumë dhe të kërkosh akoma më shumë. Unë jam Eva e Partisë Demokratike, që selinë blu e kam etiketuar gjithmonë si shtëpinë time të dytë.
Por sot nuk jam këtu vetëm për një parti. Sot jam këtu për dinjitetin. Sot jam këtu për drejtësinë. Sot jam këtu për të ardhmen. Sot jam këtu për t’i dhënë shuplakën e merituar shtetit që i kthen shpinën qytetarit të ndershëm dhe i hap rrugën padrejtësisë.
Sot jam këtu, jo e frikësuar, jo e heshtur, jo e dorëzuar, sepse historia na ka mësuar një gjë, kur populli çohet në këmbë, asnjë pushtet nuk është i përjetshëm.
Sot jam këtu për të folur për çdo të ri që ka bërë valixhen gati me lot në sy. Jam këtu për çdo pensionist që numëron ç’darkat për ilaçe.
Sot jam këtu për veten time, për një të re që e do shumë Shqipërinë, por që refuzon ta shohë të poshtëruar. Mua sot nuk më dhemb varfëria, nuk më dhemb as lodhja. Mua sot më dhemb padrejtësia. Ju nuk e keni idenë sa dhemb kur punon ndershëm dhe nuk shpërblehesh. Ju nuk e keni idenë sa dhemb kur e do kaq shumë këtë vend dhe vendi yt nuk të do.
Unë jam këtu sot si një mësuese që hap derën e shkollës çdo mëngjes me dinjitet, por me zemër të lodhur. Jam këtu si një mësuese që përpiqet t’u mësojë nxënësve ndershmërinë, ndërsa shteti u mëson padrejtësinë.
Unë sot nuk kërkoj privilegje. Unë sot kërkoj respekt.
Respekt për arsimin, respekt për punën, respekt për djersën. Ju na kërkoni rezultate europiane, por na ofroni kushte afrikane. I pandehur zoti kryeministër Edi Rama, Europa nuk ndërtohet me fjalë, por me shkolla të forta dhe me rini që beson. Kur padrejtësia vishet me emrin sistem, ajo bëhet edhe më e rrezikshme. Një shtet që e detyron mësuesin të mendojë se si të mbijetojë, nuk mund t’i kërkojë atij të mendojë si të ndërtojë të ardhmen. Ju nuk mund të qeverisni duke varfëruar dijen.
Heshtja jonë nuk është më durim, është revoltë që po zgjohet. Unë nuk kam frikë. Asnjë mësues nuk do të ketë më frikë, sepse mësuesit nuk rrisin vetëm nxënës, ata rrisin ndërgjegje. Dhe kur ndërgjegja zgjohet, asnjë pushtet nuk e ndal dot. Historia ka treguar se librat kanë rrëzuar më shumë diktatura sesa armët. Erdhi fundi jot nga ne, nga arsimtarët. Sepse kur ngrihet arsimi, ngrihet kombi. Dhe një komb që zgjohet, nuk mund ta ndalë askush.
Ti qeveris çdo ditë me urrejtje për këtë vend, ndërsa unë nuk protestoj me urrejtje. Protestoj nga dashuria për Shqipërinë. Dhe kjo dashuri nuk shuhet, nuk shitet dhe nuk dorëzohet. Asgjë nuk është më e fuqishme se një ide, koha e së cilës ka ardhur.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë qytetarët dhe të gjithë demokratët.







