Aktorja Juli Emiri riktheu sot para Kryeministrisë frymën e Dhjetorit ’90, duke evokuar revoltën studentore që rrëzoi diktaturën. Në një fjalim ironik dhe emocional në protestën për rrëzimin e qeverisë Rama sot pasdite para kryeministrisë, ajo krahasoi guximin spontan të asaj kohe me apatinë e sotme, duke sfiduar analistët, pushtetin dhe diplomacinë
. “Ajo foshnjë që dëgjoi zhurmën e rrëzimit të shtatores më 20 shkurt 1991, sot është 35 vjeç. Ajo foshnjë është demokracia”, përfundoi Emiri, mes duartrokitjeve të protestuesve.
Fjala e Juli Emirit
Tani që po ju shoh nga këtu qenkeni, duket pamje fantastike këtu. Unë, sot, si sot, 35 vite më parë, në 24 janar 1991, kam lindur. Do thoni ju ç’lidhje ka kjo. Doja t’ju rishpija në ato ditë midis 8 dhjetorit 1990 dhe 20 shkurtit 1991, po në këtë shesh, po në këtë Shqipëri, në një qytet që ziente, që gumëzhinte, që zhurmonte nga hapat tuaja që nuk ndaleshin, derisa blu arritën pikën e vlimit më 20 shkurt. I mbani mend ato ditë? E mbani mend si keni qenë, çfarë keni menduar, çfarë i thoshit njëri-tjetrit? Ju ato ditë keni qenë të gjithë me fytyra të lodhura, të vrara, të veshur gati të gjithë njëlloj, po ato ditë, ato ditë ishit të gjithë individualitete, se ishit të gjithë njerëz që kërkonit lirinë. Ato ditë ju as që e mendonit që një ditë dikur do të quheshit heronj, sepse ato ditë ishit bashkë. Ato ditë ju nuk e dinit që po shkruanit historinë sepse vepronit, nuk mendonit asnjë çast.
Dhe unë sot dua t’ju bëj një pyetje: Po turp nuk ju vjen? Po rrëzohet kështu diktatura? Si na e rrëzuat kështu diktaturën me kaq zhurmë, kështu me vrap aty si idiot të gjithë aty duke vrapuar, duke dalë në shesh. Si, si, si u rrëzua diktatura kështu? Shkon, shkon robi merr një, merr një doktoraturë, diplomohet, lahet, vishet, vesh kollare, vesh kostum, ulet në një studio televizive, hap një program televiziv, jep mendim, jep mend, mbledh analistët aty që të diskutojnë tani hajde si ta rrëzojmë diktaturën. Që të flasin në emër të popullit. Do thoni ju populli jemi ne. Jo, nuk dini gjë ju, e dinë ata se çfarë mendon populli. Populli nuk frymëzohet, nuk arrin, po mo po, komunizmi i keq ka qenë, po populli nuk arrin dot të gjejë frymëzimin.
Ore, si e gjetët frymëzimin atëherë në vitet 90-91? Jam shumë kurioze. Na e thoni, na e thoni t’ia gjejmë frymëzimin, t’ia japim këtyre sot që nuk na frymëzohen me gjithë çfarë ndodhi në këtë vend, me gjithë vjedhjet e vrasjet e ç’ka s’ndodh, nuk frymëzohen kurrë më. Na thoni më t’ia themi atyre analistëve, ore t’ju japin mend që t’ju thonë juve me çfarë të frymëzoheni. Me vërtetë, si keni jetuar ju atëherë pa analistë njerëz, unë s’arrij ta kuptoj. Si, si keni jetuar dhe si keni dalë në rrugë pa ju thënë analistët në darkë se çfarë duhet të bënit dhe çfarë duhet të vepronit dhe çfarë duhet të hanit.
Do thoni ju, ne nuk kemi ngrënë. E dinë analistët atë punë a keni ngrënë. E dinë analistët që paguhen nga Rama, se e dini besoj që ato analistët që dalin në televizione paguhen, nuk dalin kot aty darkë për darkë si ju dhimseni ju.
Nga kush paguhen? Nga Rama paguhen, se Rama ka aq shumë lekë sa t’i paguajë dhe nuk mund dot me argument, mund vetëm me analistë të paguar që ju thonë juve se çfarë duhet të bëni. Po mirëpo ato ambasadat, si, si, si shkuat i pushtuat ashtu pa pikë turpi me ashtu si njerëz primitiv dhe nuk pritet çfarë do thonin ambasadorët, çfarë do thotë ambasadori gjerman, çfarë do thotë ambasadori italian, si duhet të vepronit ju, çfarë do thotë Amerika. Si shkuat ashtu si derrin në thes aty? Nuk pritet çfarë do postonte ambasadori në Facebook. Do thoni ju atëherë nuk ishte Facebook. Të prisnit sa të hapej Facebook-u, të prisnit të shikonit çfarë do postonte ambasadori, pastaj të reagonit.
Si qenka kjo? Diktaturat në çdo vend, unë nuk e di domethënë, diktaturat në çdo vend bien me etikë, bien me me qytetari. S
hkuan i thanë Çausheskut: ju lutem shumë zotëri, ikni nga qeverisja, boll nuk duam më, duam të ndërrojmë qeverisjen. Me shumë qytetari, Çaushesku iku, i dëgjoi, bëri mirëkuptim, i dha dorën. Asnjë, ç’është kjo dhunë kështu që jeni kështu kaq njerëz primitivë shkuat na rrëzuat diktaturën kot. Shkuat aty më 20 shkurt, latë nam aty, u zutë me policët aty si si si njerëz, nuk e di domethënë çfarë qytetarie. Po çfarë bëni kështu? Babi im i pari. Unë isha një foshnjë duke pirë gjirin e nënës, gati asnjë muaj s’kisha mbushur, babi si idiot aty duke luftuar, duke tërhequr zvarrë shtatoren. Po çfarë bëni kështu mo?
Po si na rrëzuat diktaturën kështu? Po do ishim rehat sot, nuk do ishte rrëzuar diktatura, madje madje me këtë me këtë me këtë mendësi nuk do ishte nuk do ishte rrëzuar, nuk do i kishim dalë kundër as Perandorisë Osmane, nuk do kishim Shqipëri fare mo, do ishim rehat.
Na hapët punë. Dhe na hapët shumë punë, se ajo shtatorja që keni tërhequr zvarrë më 20 shkurt 1991, ju nuk e dinit, po atë zhurmë shtatoreje që vazhdon të dëgjohet dhe sot e kësaj dite derisa diktatori të tërhiqet zvarrë i gjallë dhe jo në bronz, e dëgjonte një foshnjë që po thithte gjirin e nënës teksa babai i saj ishte në shesh. Ajo foshnjë sot është 35 vjeç. Ajo foshnjë është demokracia.







