Një botim studimor rreth vendbanimit prehistorik në Kodrën e Pecës në Kukës hedh dritë mbi gërmimet dhe zbulimet e herëpashershme. Qyteza dardane në Kodrën e Pecës flet për vendbanimin prehistorik që prej krijimit të tij e deri në ditët e sotme.
Kjo kala e vendbanim është në njërën prej pikave strategjike të Kukësit në rrugëkalimin që lidh pjesët e tjera të Ilirsë me Dardaninë. Vetë mënyra e ndërtimeve tregon se këto fortifikime ishin të mbretërisë ilire.
Në këtë kala janë zbuluar materiale të shumta që dëshmojnë një vendbanim të rëndësishëm në periudha të ndryshme kohore ndërsa e veçanta sipas professor Luanit është zbulimi I emrave ilirë.
Struktura e kësaj kalaje dhe rëndësia strategjike u përsos në periudha të ndryshme kohore, ndër të cilat edhe ajo e perandorit Konstandin. Kurora arkitekturore dhe shumë e rëndësishme për kohën ishte ndërtimi I një kishe brenda kalasë në shekullin e VI që përkon me periudhën e perandorit Justinian.
Zbulimet e objekteve janë me shumë vlera e që dëshmojnë një cilësi e mënyrë jetese përtej një komuniteti të një shtrese të ulët e të mesme.Për profesor Luanin, nuk është e lehtë të punosh një studim të tillë, për të cilin punën e ka nisur herët bazuar në atë çfarë është studiuar e gërmuar në kodrën e Pecës.
Kalaja e Pecës është një monument me vlerë të jashtëzakonshme arkeologjike e historike për të cilin Ministria e Kulturës e ka kategorizuar si monument me rëndësi të kategorisë A.







