Ballina Kronika Kokainë dhe baste sportive në lokal, në pranga pronari! 14 të tjerë...

Kokainë dhe baste sportive në lokal, në pranga pronari! 14 të tjerë nën hetim, mes tyre një polic

38
0

Një lokal i përshtatur për baste sportive dhe për shitje dhe konsum të lëndëve narkotike është zbuluar nga policia në Korçë.

Si rezultat është vënë në pranga pronari i lokalit, ndërsa ka nisur hetimit për 14 persona të tjerë që gjendeshin në lokal.

Gjithashtu është proceduar edhe një punonjës policie, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

 “U arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë, u konstatua se 57-vjeçari kishte përshtatur ambientin për kryerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” për 14 shtetas të tjerë, të cilët, edhe pse kishin dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, nuk e kallëzuan tek organet policore.

Për shkak se ishte prezent në këtë ambient dhe nuk ka kryer detyrimet që rrjedhin nga ushtrimi i detyrës, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin D. L., me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë. Njëkohësisht, ndaj tij filloi edhe hetimi disiplinor”,- thuhet në njoftimin e Policisë.

Në lokal janë gjetur dhe sekuestruar 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, një sasi monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa që shërbejnë për ushtrimin e lojërave të fatit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.