Qeveria ka hedhur një tjetër hap në riorganizimin e sektorit të mbetjeve, duke e shndërruar Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve në një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror. Me vendimin nr. 37, datë 21 janar 2026, të botuar në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave përcakton organizimin e brendshëm, organet drejtuese dhe mënyrën e funksionimit të Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve sh.a. (AKEM sh.a.), në zbatim të ligjit të ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Sipas vendimit, AKEM sh.a. do të funksionojë si shoqëri tregtare, por me pronësi të plotë shtetërore, ku autoriteti publik që përfaqëson shtetin si aksionar i vetëm është ministria përgjegjëse për mjedisin. Shoqëria do të ofrojë, kundrejt pagesës, shërbimin e trajtimit fundor të mbetjeve, si edhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
Modeli i zgjedhur i administrimit parashikon dy nivele drejtimi: Këshillin Mbikëqyrës dhe administratorin, në linjë me ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë është përcaktuar në 20 milionë lekë, të cilat do të injektohen nga buxheti i Agjencisë ekzistuese për menaxhimin e mbetjeve, menjëherë pas regjistrimit të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Vendimi detajon edhe përbërjen e Këshillit Mbikëqyrës, i cili do të ketë pesë anëtarë: dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për mjedisin dhe nga një përfaqësues nga ministritë e financave, pushtetit vendor dhe ekonomisë. Kriteret e emërimit, mandati dhe skema e shpërblimit të tyre do të përcaktohen në statut, duke respektuar kufizimet ligjore për shoqëritë aksionare.







