Ballina Kronika Tre zyrtarë policie në “arrest shtëpie” për korrupsion dhe shpërdorim detyre

Tre zyrtarë policie në “arrest shtëpie” për korrupsion dhe shpërdorim detyre

22
0

Tre zyrtarë policie u izoluan në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi dyshohen për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë–Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, ndaj punonjësve të policisë: D. L., me detyrë Inspektor Krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum; A. J., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Orikum; dhe A. F., me detyrë Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum.

“Drejtoria e Hetimit është vënë në dijeni se këta punonjës policie, në shtator të vitit të kaluar, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që iu jep funksioni, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 mijë lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale”, njofton AMP.

Të dyshuarit pritet të dalin për masë sigurie para GJKKO brenda afatit ligjor.