Ballina Ekonomia Gara e fluturimeve, Wizz Air “dominon” qiellin shqiptar

Gara e fluturimeve, Wizz Air “dominon” qiellin shqiptar

30
0

Tregu i transportit ajror në Shqipëri gjatë vitit 2025 është karakterizuar nga një dominim i qartë i linjave ajrore me kosto të ulët, ku Wizz Air dhe Ryanair kanë mbajtur peshën kryesore të fluturimeve nga dhe drejt vendit.

Sipas raportit vjetor për ndarjen e tregut sipas kompanive ajrore, Wizz Air ka rezultuar operatori kryesor gjatë gjithë vitit, me një pjesëmarrje që varion nga 63.67% në muajin janar deri në 46.40% në korrik, duke shënuar një rritje të ndjeshme sërish në fund të vitit, në 58.78% në nëntor.

Në vendin e dytë renditet Ryanair, e cila ka mbajtur një peshë të konsiderueshme në treg gjatë gjithë vitit, me një kulm prej 26.09% në prill dhe një rritje të fortë në muajt e fundit të vitit, duke arritur në 24.33% në nëntor.

Ndërkohë, kompani të tjera si Pegasus Airlines, Lufthansa, Air Albania dhe Aegean Airlines kanë ruajtur pjesë më të moderuara të tregut, por me prani të qëndrueshme mujore.

Gjatë sezonit veror vihet re një rritje e ndjeshme e fluturimeve çarter, të cilat arrijnë deri në 7.61% në korrik dhe 7.40% në gusht, duke reflektuar rritjen e fluksit turistik drejt Shqipërisë. Këto të dhëna konfirmojnë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të vendit si destinacion turistik dhe nyje rajonale e transportit ajror, me fokus të veçantë në linjat low-cost dhe fluturimet sezonale.

Sipas raportit të ndarjes së tregut për vitin 2025, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës kanë operuar mbi 30 kompani ajrore, duke përfshirë linja të rregullta, kompani low-cost dhe fluturime çarter sezonale. Kjo larmi operatorësh dëshmon për rritjen e konkurrencës në tregun ajror shqiptar dhe zgjerimin e lidhjeve me destinacione europiane dhe rajonale.