Ballina Editorial Një protestë nuk është ekskursion!

Një protestë nuk është ekskursion!

29
0

Nga Mentor Kikia

Ata që protestojnë dhe vendosin të përplasen edhe dhunshëm me qeverinë, i marrin parasysh edhe pasojat.
Ata që përgjigjen për të mbrojtur institucionet, policia në këtë rast, janë të përgatitur/stërvitur, fizikisht dhe psikologjikisht, për t’u përballur në mënyrë proporcionale edhe me turmat e dhunshme.

Edhe gazetarët që mbulojnë këto ngjarje janë të vetëdijshëm për rrezikun që ka kjo punë.
Të gjithë janë në të drejtën dhe detyrën e tyre.

Shteti i ka të gjitha mundësitë që t’i mposhtë protestuesit, t’i shtypë, t’i helmojë apo edhe t’i vrasë e t’i djegë. Por kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë. Më saktë, nuk duhet të përsëritet.

Sepse vërtet mund të ketë protestues e policë të lënduar, por kjo nuk është një luftë. Ata që protestojnë nuk janë armiq të atdheut.
Kjo është pjesë e demokracisë.

Ka protokolle në përdorimin e mjeteve të dhunës, si pjesë e reagimit proporcional të policisë. Të paktën kështu ndodh në vendet demokratike.

Një qeverie dhe një partie, që çdo 21 janar bën homazhe për viktimat qeveritare të një proteste të dhunshme, nuk i shkon të krenohet me sasinë e gazit lotsjellës që hedh mbi protestuesit kundër saj.
Të paktën në deklaratat publike duhet të jetë e përmbajtur. S’ka asgjë këtu që drejtuesit e policisë të jenë “krenarë për punën e bërë”.