Opozita ka akuzuar Policinë e Shtetit për dhunë të paprecedentë ndaj protestuesve të saj, përveç shoqërimeve me forcë të paligjshme në Komisariate, mes tyre edhe një fëmijë.
Një denoncim për dhunë policore vjen edhe nga Rexhino Pepaj.
Ai është 34-vjeç, nga Berati, dhe thotë se u dhunua mbrëmjen e djeshme nga policia, në protestën e opozitës.
Anëtar i degës së PD-së Berat, Rexhino u nis pasditen e djeshme drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së opozitës para Kryeministrisë.
Por, pas mbarimit të protestës, ai u mor zvarrë nga policia, e cila e ka futur në furgon dhe e ka dhunuar, si brenda në mjet, ashtu edhe në ambientet e Komisariatit Nr.1 Tiranë, ku u mbajt 4 orë.
Pas mbërritjes në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Berat, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor, Rexhino tregon se gjatë protestës policia i hodhi gaz lotsjellës me piper në sy dhe ai ra në tokë, më pas e kishin marrë me shkelma dhe e kishin futur në furgonin e policisë, ku e kishin dhunuar sërish.
Ai tregon se: “Edhe në Komisariatin Nr.1 të Policisë Tiranë, ku e mbajtën mbi 4-orë e kanë dhunuar.
Më pas, pasi e panë që gjendja e tij ishte përkeqësuar pasi ai vuan nga astma, e kishin nxjerrë jashtë dhe i kishin thënë “Ik në spital se s’je mirë”.
Ai tregon se tani “nuk sheh mirë nga sytë”.
Ai shprehet se jashtë komisariatit “e prisnin shokët me makinë dhe e sollën drejt spitalit të Beratit”.
Dhunën që ka pësuar njëri nga anëtarët e Partisë Demokratike të degës së Beratit, e ka denoncuar nga ambientet e Urgjencës së Spitalit Rajonal Berat edhe kryetari i kësaj dege, Kasion Hasimetaj.







