Ballina Politika Rama cilësoi protestën e PD si degjenerim, Bardhi: Askund në Europë kryeministri...

Rama cilësoi protestën e PD si degjenerim, Bardhi: Askund në Europë kryeministri nuk bëhet avokat i korrupsionit si me Ballukun

28
0

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama ndaj protestës së organizuar nga opozita. Bardhi e cilëson Ramën si një “kryeministër i skaduar” dhe e akuzon për mbrojtje të korrupsionit dhe lidhje me kartelët e drogës.

“Askund në Europë kryeministri nuk mbron korrupsionin. Edi Rama reagoi mbrëmë ndaj protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper,” deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se, sipas standardeve europiane, një kryeministër që kapet në skandale nuk i përgjigjet qytetarëve me dhunë, nuk kriminalizon opozitën dhe nuk tenton të kontrollojë drejtësinë. Bardhi akuzoi Ramën se shndërrohet në “avokat të korrupsionit” për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa sipas tij një kryeministër i përgjegjshëm nuk paracakton tendera apo cakton koordinatore mes qeverisë dhe krimit të organizuar, duke iu referuar rastit të Ergys Agasit.

“Askund në Europë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë. Askund nuk sulmohet drejtësia për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes dhe të bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Ky është Edi Rama! Vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave,” shtoi Bardhi.