Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera nga specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, të DVP Durrës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:
-M. N., 56 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas dyshohet se sot, rreth orës 10:00, në lagjen nr. 12, Durrës, në rrugë, ka plagosur me thikë vajzën e tij 24 vjeçe, për motive të dobëta. Gjithashtu, 56-vjeçari ka goditur me thikë shtetasin O. M., i cili ka ndërhyrë për ta ndaluar atë, në momentin e plagosjes së vajzës.
2 shtetasit e plagosur po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.







