Ballina Kulturë Errësira që mbulon mërgatën shqiptare

Errësira që mbulon mërgatën shqiptare

15
0

Nga Abdurahim Ashiku 

Nuk ka asnjë të dhënë që të paktën t’i afrohet numrit të shqiptarëve në mërgim, madje as edhe të ndonjë përpjekje për këtë. Para disa muajsh Kosova, shteti më i ri në botë, shpalli se do të bënte regjistrimin e të gjithë mërgimtarëve të saj në botë. Shqipëria as e ka shpallur dhe nuk ka asnjë zë mediatik se do ta shpallë. Sido që të jetë, një e treta e shqiptarëve është jashtë kufijve të Shqipërisë, çka në detyrim kushtetues shteti shqiptar duhet tu qëndrojë pranë, tu japë zë e të dëgjoj zë. Disa ditë më parë u ndodha në Selanik midis mërgimtarësh që festonin 10 vjetorin e një prej shoqatave shqiptare më në zë
në Greqi, Shoqatës “Nëna Terezë”, midis mësuesish emigrantë që prej trembëdhjetë vjetësh në kushte gjysmë ilegale, me abetare të fotokopjuara, pa ndihmën e shtetit, pa pagesë e pa asnjë njohje zyrtare, u kanë mësuar mbi njëmijë fëmijëve të shkruajnë e lexojnë shqip. Më befasuan fjalët tepër të ngrohta të pedagogëve të Universitetit Aristoteli të Selanikut në nderim të mësuesve dhe shqiptarëve mërgimtarë që, siç tha një pedagog që jepte mësim në disa universitete të Evropës, shpejt do të bëjnë vend në katedra universitare si lektorë të fushave të ndryshme. Dy prej tyre, Dhori Qiriazi dhe Stavri Daja ka kohë që kanë bërë vend me dinjitet e respekt. Prisja që në atë demonstrim vlerash të mërgatës shqiptare në Selanik të shihja kamera televizive e gazetarë me emër në median shqiptare, ardhur posaçërisht për këtë rast. Nuk pashë asnjë. I vetmi zë që jemi mësuar ta dëgjojmë në lajmet televizive të njërit prej kanaleve kombëtar privat erdhi në fund, kur anëtarët e shoqatës kishin mbushur tavolinat me prodhimet ushqimore të kuzhinës së mërgimtarëve, kuzhinë me gjeografi tërë hapësirën shqiptare, nga jugu në veri. Kronikë për festën, kështu po e quaj sepse me të vërtetë festë ishte, nuk do të kishte as në ekranet e vegjël televizivë, as në radio dhe as faqeve të shtypit shqiptar, rekord në tituj llogaritur për frymë të popullsisë. Mërgata shqiptare kur vjen rasti për të pasqyruar vlerat e saj është në errësirë, është pa zë e pa veshë, është ”prapa listës” së shtetit e të segmenteve privatë të medies shqipshkruese. Mërgata shqiptare është në “krye të listës”, krye lajm në ekranet e vegjël dhe në faqe të para fletoresh mediatike vetëm kur ndodh ndonjë krim, kur dëgjohen krisma e theren foshnja, kur shpërthehen banka e porta burgjesh. Atëherë, si të përcillet një sihariq i madh fryhen ekranet dhe zmadhohen germat në kryeartikuj fletoresh mediatike. Mërgata shqiptare është kryefjalë e partive politike kur kriza ekonomike thellohet në rrënjët e ekonomisë së vendit. Kryefjala e bisedës justifikuese dallgëzon rreth remintancave, postimi të parave të mërgimtarëve drejt familjeve e bankave shqiptare, postime që rëndom thuhet se kanë rënë nga një
miliardë euro në vit në treqind milionë. E pyeta gazetarin e vonuar se në se është i gatshëm për një bashkëpunim për të bërë një dokumentar televiziv për 21
mësuesit mërgimtarë të Selanikut, që Dritëro Agolli i madh i fjalës së bukur shqipe i ka quajtur RILINDËS TË RINJ TË KOHËS SONË. Më tha se nuk ma merr mendja se televizioni ku bashkëpunoj do ta pranojë (!?) Kur e shtrova këtë mes disa mërgimtarësh, njeri prej tyre hodhi vështrimin larg, mbi një dekadë më parë kur televizioni shqiptar bëri një telereportazh për shqiptarët e Selanikut, telereportazh që nuk përcolli thjesht jehonë, por përcolli forcën e një komuniteti që kishte hyrë me dinjitet në një shoqëri me vlerat e veta të spikatura. Në teatrin antik të Akropolit të Athinës, vite më parë, ulur në një nga radhët e gurta tre mijëvjeçare, kam ndjekur një koncert të orkestrës së Selanikut, ku “violinë” e parë ishin shqiptarët me të cilët në përfundim të shfaqjes fiksova në diktofon biseda mbresëlënëse për rrugën e tyre të suksesshme. Në orkestrën simfonike të Athinës thuhet se 60 për qind e pjesëtarëve janë shqiptarë. Balerinët shqiptarë po shndërrohen në yje eklipsues, njeri prej të cilëve arriti në finale të spektaklit televiziv “Dancing with the Stars”. Shtatë seminare janë zhvilluar nga mësuesit vullnetarë shqiptarë për të stimuluar mësimin e gjuhës shqipe në Greqi, për tu bërë thirrje prindërve që t’i sjellin fëmijët të mësojnë të shkruajnë e lexojnë gjuhën e nënës Shqipëri. Në asnjërin nuk ka marrë pjesë as edhe një i deleguar i thjeshtë i Ministrisë së Arsimit, për të mos thënë Ministër pas të cilit do të vinte aradha e gazetarëve dhe kameramanëve. Në këto afër tetëmbëdhjetë vjet në mërgim kam dëgjuar e fiksuar në diktofon fjalime presidentësh, kryeministrash, ministrash… për vëmendje ndaj emigrantëve, për qendra kulturore, shkolla e premtime gjithnjë në kohë zgjedhjesh, gjithnjë në kërkim të votës së tyre stimuluar me udhëtime falas. Herën e fundit dëgjova edhe premtimin solemn për hapjen e një kanali të dytë në televizionin publik shqiptar vetëm për mërgimtarët, kanal që do të përcillte në rrugë satelitore vlerat e një të tretës së popullsisë shqiptare në mërgim. Nuk është hapur. Dhe me sa duket nuk do të hapet kurrë. Mërgata shqiptare është dhe do të mbetet në ditë të errëta. Mbase gaboj. Uroj që të gaboj… Athinë, 21 maj 2014