Ballina Aktualitet Kadastra e Vlorës zhvendoset në Tiranë, punonjësit nisin protestë

Kadastra e Vlorës zhvendoset në Tiranë, punonjësit nisin protestë

24
0

Urdhri për zhvendosjen e Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës nuk është pritur mirë nga punonjësit dhe opinioni publik, pasi i heq qytetit një nga institucionet kryesore.

Pas njoftimit për mbylljen e Kadastrës së Vlorës dhe transferimin e saj në kryeqytet, mbi 50 punonjës kanë nisur protestë brenda ambienteve të institucionit. Mësohet se ata kanë firmosur edhe një peticion kundër kësaj lëvizjeje. Të gjithë punonjësit janë njoftuar zyrtarisht më 23 janar për zhvendosjen.

Sipas vendimit të miratuar, strukturat e Drejtorisë Vendore të Kadastrës së Vlorës do të transferohen në Tiranë, së bashku me një tjetër institucion, atë të menaxhimit të pronave. Vendimi mban datën 23 janar 2026 dhe është firmosur nga drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 shkurt, datë nga e cila Vlora nuk do të ketë më një zyrë vendore të Kadastrës.

Kadastra e Vlorës, ish-Hipoteka, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të problematikave të shumta që lidhen me legalizimet dhe çështjet e pronësisë, veçanërisht në fushën e ndërtimeve. Ndër vite, institucioni ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm drejtorësh të larguar dhe të emëruar, duke reflektuar paqëndrueshmëri në drejtim.

Kjo është Kadastra e dytë në vend që zhvendoset drejt Tiranës, pas asaj të Durrësit, e cila u transferua më herët, duke i detyruar qytetarët të udhëtojnë në kryeqytet për të marrë shërbimet përkatëse.