Është e famshme këshilla e ligë që ish-kryeministri i ndjerë Fatos Nano e ka deklaruar publikisht se e ka marrë nga ish-famëkeqi Sulo Gradeci, kur e pyeti se si duhej të sillej me shqiptarët dhe mori përgjigjen: “Bëju nënën të të thonë babë.” Përveç vulgaritetit me të cilin vlerësuan popullin të cilit i përkisnin këta dy individë, ligësia shtrihet në konceptimin që ata kanë pasur për pushtetin dhe shtetin, si mjet dhunues dhe shtypës, jo si konstrukt shërbimi, mbrojtjeje dhe mbarëvajtjeje.
Duket se kjo këshillë është përcjellë edhe te kryeministri rilindas Rama dhe oborri i tij, pasi çdo ditë që kalon plasin skandale të përmasave të padëgjuara dhe çdo shërbim shteti po degradon. Ndër më të fundit është mosfunksionimi i shërbimeve digjitale. Në muajin korrik pati ankesa masive për pamundësinë e dorëzimit të bilanceve sepse binte sistemi, që paturpësisht zyrat shtetërore e justifikonin, të indinjuara, me kulturën e popullit shqiptar për t’i lënë gjërat në minutën e fundit. Ndërsa prej muajit dhjetor media ka informuar pothuaj çdo ditë mbi problemet në e-Albania, SelfCare dhe për rënien në tërësi të sistemeve nga merren shërbimet, duke penguar, pezulluar e zvarritur përmbushjen e nevojave të qytetarit dhe posaçërisht të bizneseve.
Ky është një problem tepër serioz, pasi tregon papërgjegjshmërinë e strukturave shtetërore për të përmbushur detyrimet e veta; qasjen arrogante që nuk kujdesen për sqarimin e zgjidhjen e problemit që e ka shkaktuar po vetë; shpërdorimin masiv të parave të publikut, pasi për këto sisteme janë përdorur fonde kolosale, por edhe të pagave të një administrate të tërë që nuk bën punën e vet në mirëmbajtjen e tyre.
Nga ana tjetër, problemi është kthyer në një kosto financiare, administrative dhe nervash për bizneset që duhet të merren çdo ditë me këtë shërbim të munguar. Nga ana e zyrave të shtetit vijon heshtja: asnjë prononcim se kur pritet të rregullohet, asnjë transparencë për periudhën e shërbimit të munguar dhe asnjë reagim mbi masat administrative për të lehtësuar pengesat që janë krijuar, si p.sh. ndryshimin e afateve të dorëzimit të deklaratave — dorëzim që nuk kryhet dot sepse vetë shteti ka mbyllur portat digjitale.
Me të drejtë na lindin pyetjet:
• A është mosofrimi i shërbimeve digjitale pjesë e veprimtarisë kriminale të AKSHI-t, dhe tani që ndoshta nuk lëvizin fondet aq lehtë te tenderfituesit nuk ua ndjen të japin shërbimin?
• A është mosofrimi i shërbimeve digjitale një formë presioni mbi organet e posaçme të hetimit, për t’u treguar se hetimi i tyre në AKSHI dhe në përgjithësi në korrupsionin e administratës shtetërore po pengon ecurinë normale të vendit, ashtu si hetimi ndaj zv/kryeministres pengon projektet e infrastrukturës (sipas argumenteve që ka çuar vetë qeveria në Gjykatën Kushtetuese)?
• A është mosofrimi i shërbimeve digjitale një kaos i qëllimshëm për të kryer procedura të përshpejtuara prokurimesh me shuma marramendëse me fitues të paracaktuar, që për më tepër të na i shesin si shpëtimtarë të situatës?
• A është mosofrimi i shërbimeve digjitale rezultat edhe i mbushjes së administratës me militantë e patronazhistë rilindas, që profesionin dhe profesionalizmin as nuk e konceptojnë dot?
• A mendon ende kryeministri se revolucioni digjital i shtetit bëhet vetëm me një Diell shtatzënë? Larg qoftë të vijë dita që edhe ekonomia të bëhet cashless, se me këtë cilësi shërbimi mos të na duket çudi që nuk do blejmë dot as një copë bukë.
• A ka ndër mend Kontrolli i Lartë i Shtetit të ndjekë një qasje më të zhdërvjellët në auditimet e tij dhe të kthejë vëmendjen në aspekte të tilla?
• A ka ndër mend Komisioni i Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë ta marrë në shqyrtim — e pse jo edhe në hetim parlamentar — këtë paralizim të shërbimeve digjitale?
• A ka ndër mend prokuroria të nisë ndonjë proces hetimor për paralizimin e shërbimeve (se ka dhe procese kryesisht)?
Nuk po i bëjmë pyetje nëse skuqen ministrat përkatës të qeverisë, të cilët duhet të dilnin menjëherë me plane veprimi alternative dhe me vendime se si do të veprohet me afatet e deklarimeve, penalitetet, inspektimet, kur vetë qeveria e tyre nuk është në gjendje të ofrojë shërbimet. Nuk i pyesim, se e dimë që as nuk kanë përgjigje, as ua mban të flasin para kryeministrit, sepse në thelb janë rrogëtarët më servilë të këtij vendi.
Ndërsa nga kryeministri kërkojmë një sqarim: për të zgjidhur këtë hall, ne qytetarët dhe bizneset duhet t’u drejtohemi “shokëve iranianë” që na i vodhën të dhënat dhe i dhanë mundësinë qeverisë rilindase të shpenzonte fonde kolosale te AKSHI dhe sistemet që tani nuk funksionojnë? Apo kryeministri do të na vijë me ndonjë sihariq nga vizita te “vëllezërit izraelitë” dhe ata do të na e zgjidhin punën e sistemeve me urdhër të peshkut?
Se për siguri dhe mbrojtje të të dhënave personale, kjo gjë ka marrë ujë me kohë.







