Ballina Dossier “Në gusht 1943, te zyra e shtypit komunist në Prefekturën e Beratit,...

“Në gusht 1943, te zyra e shtypit komunist në Prefekturën e Beratit, që kontrollohej nga PKSH-ja, më ra në dorë një letër e firmosur nga ‘Shpati’, Enver Hoxha, ku thuhej…”/ Dëshmia e Sejfi Protopapës nga SHBA-ja

0
19

Nga Jonida Plaku

Pjesa e dytë

Historia është plot labirinte dhe askush nuk mund të pretendojë se i shkon asaj drejt që nga fillimet, për ta ndjekur me tërë hollësitë që ajo ka e mbart me vete në jetën e njerëzve. Veçanërisht, kur shtigjet e saj janë mbyllur apo në to janë vendosur pengesa nga vetë ata të cilët pasi u shpallën fitimtarë e shkruan atë ashtu siç u interesonte. Në harkun kohor të 50 viteve, të vërtetat nuk mund të “varrosen” lehtë, e megjithatë vështirësitë për t’i përshkruar ato, ashtu siç janë përbëjnë jo një punë të lehtë për një gazetar. Por kur portreti i njërit prej atyre, që edhe pse përshkrimin ia kanë bërë kundërshtarët, e takon përsëri me madhështinë e një njeriu të rritur me kohën, ndërgjegjja dhe ndjenja e profesionit të shtyn në të panjohurat e jetës së tij dhe të të tjerëve që e rrethonin.

Ja si vijon z. Protopapa në kujtimet e veta për ato ditë të vitit 1943: “Në vazhdim të punës që kisha bërë me Kristaq Tutulanin, unë shkoja punoja në sektorin e shtypit të Partisë Komuniste, në godinën e prefekturës. Ndërkohë mbaja lidhje me degën e grupit të të rinjve të Beratit që udhëhiqej nga Resul Dollani, Namik Mehqemeja, Fatbardh Guri, Enver Karagjozi, Neti Fuga etj.

Ky grup vendosi të nxirrte një deklaratë të firmosur nga Resul Dollani, Namik Mehqemeja, Fatbardh Guri dhe Enver Karagjozi për formimin e Partisë Nacional Komuniste. Me keqardhje them se të vetmen kopje të asaj deklarate, ia dhashë Dr. Stavro Skëndit, kur arrita në Nju-Jork në vitin 1947.

Kontradikta midis termit nacionalist dhe komunist në emrin e partisë ishte më se i dukshëm, por ato kohë të çmendura e justifikonin edhe një gjë të tillë. Duhet theksuar se Resul Dollani, kur kishte qenë burgosur nga fashistët italianë, u bojkotua nga shokët komunistë të qelisë, ngaqë Partia Komuniste kishte vendosur të shkatërronte ‘Grupin e të Rinjve’…! Edhe babai i Namik Mehqemesë dhe tre ballistë të tjerë me emër, ndër ta edhe udhëheqësi i Ballit, avokati Skënder Muço, ishin keqtrajtuar e bojkotuar nga komunistët”.

Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të atyre viteve dhe të vetë protagonistit që ishte dëshmitar i marrëdhënieve midis grupimeve me bindje të ndryshme, brenda një qyteti të vogël si Berati, ku prania e pushtuesit gjerman mungonte, pikërisht ky ka qenë momenti i përçarjes së madhe midis tyre e, kjo jo nga vetë ata, por nga liderët që udhëhiqnin këto grupime për interesa të trashëgimit të qeverisjes së ardhshme.

Pothuaj të gjithë e mbajmë mend personazhin Sali Protopapa. Në mos e kemi lexuar te romani i shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli me titullin “Komisari Memo”, do e kemi parë te “I teti në bronx”. Sali Protopapa është një figurë komplekse, që si karakter është ngulitur në mendjen e çdo lexuesi, ndërsa vizualisht, ai u fiksua në filmin “I teti në bronx”, në rolin e një anadollaku që dukej sikur mendjen e kishte vetëm tek e ngrëna.

Roli është interpretuar me mjeshtëri nga aktori i mirënjohur Pirro Mani. Por, Sali Protopapa i vërtetë, jo vetëm emrin që e ka ndryshe, por është edhe krejt një personazh tjetër. Jeton në Amerikë ku gëzon edhe një reputacion krejt tjetër me atë që është krijuar në Shqipëri. Në rrëfimet e tij, ai është një Protopapë krejt tjetër, nga ai i filmit.

“Letra e Enverit që më kaloi nga komunist në ballist”

Është një histori aq sa e panjohur dhe e pabesueshme ajo e viteve të para të 1944–ës. Pasardhësit tanë na e kanë treguar ashtu si ata e mendonin dhe se si e gjykonin që ta transmetonin në brezat që vinin pas tyre, për shkak të bindjeve apo të porosive që kishin për të ndërtuar një shoqëri që ëndërronin për brezat pasardhës. E kjo nuk mund t’i ngarkojë me përgjegjësi ata që nuk e dinin të ardhmen dhe dëmin që i shkakton asaj dhe brezave që do të vinin.

Por, pas më shumë se 60 vitesh, është një panoramë tjetër e asaj që për vite me radhë është mëkuar për bëmat e atyre viteve që u frynë me megalomaninë e fituesve të pas Luftës së Dytë Botërore. Mbase kjo për lexuesin me bindje të fiksuara nuk ka shumë vlera për të ndikuar në faktin që historia nuk është ajo që vetëm shijohet në një moment të jetës me atë që ty të servirnin dhe që të pëlqen për momentin, por një shkencë që meriton vëmendje.

Pasazhet dhe shënimet e personazhit Sejfi Portopapa, i cili për nga mentaliteti dhe kushtet historike që kalonte dhe kalon nuk kanë për qëllim që të denigrojë historinë, të cilën më pak se kush mendon se mund të ndryshojë rrjedhën e jetës së tij prej fizikani të madh e, nënshtetasi amerikan.

Kalvaret e vuajtjeve nuk mund të shuajnë dot kujtesën në momente kthesash, pavarësisht nga retushimet e bëra e që mund t’i bëhen jetës së një komuniteti të tërë në një periudhë të historisë së tij. Ja si e përshkruan momentin e shkëputjes nga Berati për në Roskovec, personazhi Sejfi Portopapa:

“Ishte gusht 1943, dhe në zyrën e shtypit komunist (e cila ishte në Prefekturën e Beratit dhe nën komandën e forcave të Frontit të komunistëve) mua më ra në dorë një letër e firmosur nga ‘Shpati’, i cili ishte pseudonimi i Enver Hoxhës gjatë Luftës. Letra bënte me dije udhëheqjen komuniste të Beratit që Partia Komuniste nuk njihte Marrëveshjen e Mukjes dhe udhëzonte fillimin e luftës për kontrollin e plotë politik e ushtarak të vendit.

Pasi e lexova atë letër, u konsultova me xhaxhanë tim, Veli Protopapën, dhe ai më sugjeroi që t’ia tregoja atë letër Abaz Ermenjit, komandantit të forcave balliste të zonës së Beratit, i cili ishte stacionuar në bashki. Pasi bëra këtë gjë, u vendos që anëtarët e grupit të të rinjve të bashkoheshin me forcat e ballit dhe unë të qëndroja me shtabin e Abaz Ermenjit”.

Sejfi Protopapa, pavarësisht nga qëndrimi politik i kohës dhe nga përcaktimi i përbërjes së grupimeve në ato kushte, për nga mosha dhe nga momenti ndryshe, i qëndron vendimit dhe marrëdhënieve që kishte deri në ato ditë me shoqërinë e Beratit, e cila kishte fije me marrëdhëniet komuniste në këtë qytet me labirinte të çuditshme, si vetë rrugët e rrugicat e lagjeve të lashta.

Si iku Sejfi Protopapa nga Berati?

Sipas kujtimeve të protagonistit të kësaj ngjarjeje, Sejfi Protopapa, ngjarjet sa vinin dhe agravoheshin midis grupimeve në Berat. Pas nja dy-tri ditësh në Berat kthehen vetëm forcat balliste, të cilat vendosen me qendër te hoteli i Dyrmove, ndërsa fronti e kishte të vështirë që të futej në Berat.

Sipas Sejfi Protopapës, askush nuk kishte ndërmend që të ndante si me thikë marrëdhëniet midis shokëve që kishin vepruar deri në atë kohë bashkë për të njëjtin qëllim po me bindje të ndryshme politike. Për të treguar momentin e largimit të Protopapës nga Berati, po sjellim kujtimet e tij:

“Ishte kohë dreke dhe po çoja babanë me biçikletë te shtëpia. Dy ballistë të armatosur na shoqëronin nga pas. Po futesha në rrugicën time kur te kthesa e prefekturës më dolën përpara një grup prej 7 partizanësh të udhëhequr nga Çano Velmishi, një kushëri imi i largët.

Ata më kërkuan që të shkoja në prefekturë, por unë i kërkova Çanos që të çoja babanë në shtëpi, por ai nuk pranoi. Ndërhyri babai që e zgjidhi situatën dhe pas kësaj unë u ktheva në bashki, duke kaluar në rrugë dytësore. Ajo ditë shënoi të parën ditë të vënë në shënjestrën komuniste”.

Flet bashkëkohësi i Protopapës: “Si filloi vëllavrasja në Berat”?

Një nga bashkëkohësit e Sejfi Protopapës në Berat, por i rreshtuar për nga bindjet e tij në frontin kundërshtar, Pelivan Nurja, tregon për “Tirana Observer” se si filloi vëllavrasja e cila në Berat deri në atë kohë, as që mund të imagjinohej.

Si e ke përjetuar atë kohë dhe çfarë mund të na thuash për fillimet e luftës?

Në tetor të vitit 1943, pas rënies së Italisë në Berat, nuk kishte gjerman, sepse ata ishin në Urën Vajgurore. Nuk më kujtohet nëse ishte e diela e parë apo e dytë e tetorit, por ka qenë e diel, kur ka filluar lufta midis Ballit dhe Partisë, apo Frontit, si të doni quajeni.

Unë isha i vogël dhe atë ditë shkova te çiklistët, që ishin aty ku është sot busti i Margarita Tutulanit dhe mora një biçikletë me qira te dyqani i Islam Gjerovenit dhe i Nure Gjerovenit, të cilët ishin vëllezër dhe deri atëherë kishin dyqanin në “Çelepias”, por e sollën aty për lidhjet që kishin me komunistët dhe luftën e Frontin.

Po çfarë lidhje ka kjo me vëllavrasjen?

Po atë ditë, pasi kam bërë disa xhiro me biçikletën që mora me qira te dyqani i Islam Gjerovenit dhe Kahreman Gjerovenit (të dy vëllezër), në moment një partizan që ishte aty ku ndaheshin dy rrugët, ku ishte busti i Babë Dudë Karbunarës, ka qëlluar Kiço Bezhanin, një nga eksponentët e Ballit, i cili ishte duke udhëtuar te banka, atje ku është sot Shtëpia e Bardhë poshtë lagjes “Mangalem”. Pas kësaj vrasje, filluan që nga godina e hotel “Kollombos” dhe e bashkisë të qëllonin mitralozat e Ballit, ndërsa nga godinat e prefekturës qëllonte mitralozi i Frontit.

Nga qëllonin dhe si shkoi situata?

Qëllonin ku të mundnin dhe pas pak kohësh doli Myrto Qafa, i cili kërkonte nga të dyja palët që të merreshin vesh për atë që ndodhi, se nuk kishte të bënte me vëllavrasjen. Pas dy orësh, situata u qetësua dhe duket se u takuan grupet që të merreshin vesh, por mbërriti skuadrilja gjermane, që deri atëherë ishte në Urën Vajgurore, për të vendosur rregull. Pas kësaj lufta filloi përsëri pas nja dy orësh midis ballistëve dhe partizanëve, të cilët gjermani i vuri të dyja përpara dhe i nxori nga Berati./ Memorie.al