Ballina Ekonomia “Shtim fondesh, zgjerim të masave” Si duhet të jetë skema kombëtare në...

“Shtim fondesh, zgjerim të masave” Si duhet të jetë skema kombëtare në bujqësi dhe blegtori 2026?

25
0

Pas disbursimit të këstit të dytë të pagesës në kuadër të Skemës Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur konsultimet për hartimin e paketës mbështetëse për fermerët shqiptarë këtë vit. Me fondet IPARD ende të pezulluara, ekspertë të sektorit kërkojnë shtim të fondit në dispzoicion.

“Sipas një vlerësimi të Ministrisë së bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vitin e shkuar, rezultoi se nevojat e sektorit ishin për 100 milionë euro. Dhe këtu nuk futen agro-përpunuesit. Ne dimë se nevojat janë shumë të mëdha”, thotë për A2 CNN Esmeralda Ballesha, eksperte e bujqësisë.

“Sasia e parave në dispozicion të fermerëve është shumë e ulët, duke hequr naftën falas për bujqësonë pjesa tjetër është 43% më pak se shuma e dhënë  në 2023. Në një nga pikat thuhet se nëse numri i aplikimeve është më i madh për një skemë atëherë bëhet një ndarje proporcionale, në këtë rast fermeri me 10 lopë do marri më pak nga çka i takon”, thotë Gjokë Vuksani, pedagog, ekspert për bujqësinë.

Edhe këtë vit, skema pritet mos pësojë shumë ndryshime. Ata që kanë lopë do të marrin 10 mijë lekë për krerë, ndërsa ata që mbarshtojnë të imëta 1 mijë e 200 lekë. Me 1 mijë lekë do të mbështeten bletarët, ndërsa kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit do të marrin 200 mijë lekë për hektarë. Në skemë janë përshirë edhe bimët medicinale me 30 mijë lekë për hektarë.(grafik 1) Edhe këtu, ekspertë të sektorit sugjerojnë ndërhyrje.

“Duhet të shohim edhe drejt teknologjisë, digjitalizimit. Ndryshimet klimaterike gjithashtu, efektet e tyre duhet të përfshihen te skemat mbështetëse”, thotë Ballesha.

Ekspertë të sektorit bujqësor vlerësojnë se veç fondeve në dispozicion skema duhet të synojë edhe  krijimin e mekanizmave për të garantuar shitjen e prodhimeve të bujqve. “Kjo pasi, pavarësisht mbështetjes nëse produkti nuk shitet fermeri është i destinuar të falimentojë. Më kot që harxhohen para”, thotë Ballesha. “Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenes e fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”, thotë Vuksani.

Qarqet me numrin më të lartë të përfituesve dhe disbursimit të fondeve nga Skema Kombëtare e Bujqësisë dhe Blegtorisë edhe këtë vit priten të jenë Vlora, Fieri, Korça, Gjirokastra dhe Berati.