Bizneset shqiptare po përballen prej më shumë se një jave më vështirësi serioze në aktivitetin e tyre të përditshëm për shkak të rënies së sistemit të fiskalizimit. Por drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, thotë se sistemet tona janë ndër më të avancuarat.
“Paraprakisht, doja të shpjegoja që sistemet tona janë nga më të avancuarat dhe ne jemi në zhvillim të tyre të vazhdueshëm, madje duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale. Sigurisht që gjatë punës sonë, ka momente që sisteme krijojnë probleme, kjo ndodh kudo dhe ato adresohen nga strukturat e IT-së me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar bizneset në punën e tyre. Kur ndodhin këto problematika, bizneset kanë mundësi, që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin e fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë”, tha Binaj.
Përfaqësuesit e biznesit kanë bërë me mijëra ankesa në zyrat e shtetit gjatë javës së fundit duke kërkuar zgjidhjen e mënjëhershme të bllokimit të fiskalizimit. Kjo për shkak edhe sepse në rast të mosdorëzimit të dokumentave në afat përmes sistemit elektronik të tatimeve, ligji parashikon sanksione të rënda për bizneset.







