Nga Abdurahim Ashiku
Ka ardhë në Greqi në vitin 1991. Ka ardhë atëherë kur lumi i ikanakëve sa vinte e fryhej, sa vinte e përmbyste brigjet. Po çfarë ka në jetëshkrimin e këtij njeriu të cilit sot jo
vetëm i heqin kapelën por edhe i përkulen me respekt grekët e thjeshtë dhe ata me pozitë ? Pas më se një orë bisede miqësore rreth filxhanit të kafesë, pasi m’i kishte nxjerr në sheshin e përroit të ikjes ato gurë, që një emigrant i nxjerr si diçka të zakonshme, ai më tha diçka që më bëri jo vetëm ta veçoj e ta ruaj si një gur të çmuar, por edhe
t’ia përcjell lexuesit. Ai është inxhinier, arkitekt, nga ata njerëz që e mbajnë punën në pëllëmbë të dorës dhe nuk e lëshojnë, e ngrenë lart për ta parë të tjerët dhe nuk e ulin. Është formuar në shkollën shqiptare të viteve shtatëdhjetë, asaj kohe kur një studenti të inxhinierisë, ashtu si edhe i studentëve të tjerë në të gjitha disiplinat, u kërkohej që para se të merrnin diplomën e inxhinierit të merrnin diplomën e punëtorit specialist, të
dinin të ngrinin mure me tulla e me llaç, të ngrinin kolona e të hidhnin trarë të fortë betoni. Ishte kjo pjesë e maskuar e jetës së tij si specialist, që e ka bërë dhe e bën njeri mbi të tjerët, specialist mbi specialistët.
…Një ditë të fillim viteve ‘90-të atij i tha mendja të futej në një konkurs në një ndërmarrje të madhe e me shumë zë në ndërmarrjet ndërtuese të Athinës. Shkoi, mori tezat, i pa një
nga një dhe dha përgjigjet, përgjigje që falë dijeve, studimeve të literaturës së gjerë në gjuhë të ndryshme dhe përvojës së punës rreth 15 vjeçare në Shqipëri, iu dukën të lehta. Në atë konkurs nuk ishte i vetëm, ishin më se dyqind kandidatë, inxhinierë ndërtimi, të diplomuar në Greqi dhe në universitete në zë në Evropë që luftonin vetëm për një vend pune. E përsëris: Vetëm për një vend pune. I dorëzoi fletët dhe priti një përgjigje. Nuk i erdhi as pas një jave, sa ishte afati dhe as pas një muaji… Mori në telefon dhe i thanë se kandidati fitues ishte zgjedhur dhe se ai ishte midis atyre që nuk kanë fituar. U tha se donte të shkonte për të tërhequr pas testin që kishte paraqitur. I thanë se mund të vinte kur të donte. Kur shkoi e vunë përpara një muri të madh me dosje që e kalonte lartësinë e tavolinës. I thanë që të kërkonte dosjen e tij dhe ai nisi t’i zbresë ato një nga një. Kërko e kërko dhe më në fund e gjeti dosjen e tij. Ishte në fund. Mbi të ishte shkruar me
germa të shtrembëta greke fjala “Alvanos”. E mori dosjen dhe e shfletoi. Titullarit të zyrës i shprehu dyshimin se përgjigjet e tij nuk ishin lexuar fare. Titullari, njeri kompetent në profesionin e tij, e mori fletën me përgjigjet dhe filloi t’i lexojë një nga një. I lexonte dhe bri secilës përgjigje vinte shenjën e zakonshme të vlerësimit pozitiv. Lexo e shëno, lexo e shëno… deri sa nuk mbeti përgjigje pa shenjën miratuese. Kur mbaroi, e pa me vëmendje dhe nisi ta pyesë gjerë e gjatë. Në fillim e pyeti për të shuar kuriozitetin. Më vonë, në sajë të përgjigjeve tepër të sakta e kompetente nisi dalëngadalë të përqendrohet deri sa më në fund u ngrit në këmbë e i tha. “Që sot je i punësuar në ndërmarrjen tonë“. Inxhinieri ynë i tha se ai e kishte një punë, e kishte një zyrë projektimi…
Fjala nxori fjalën dhe titullari i ndërmarrjes iu lut që ai t’i projektonte brenda një muaji një kompleks banesash në një lagje në periferi të Athinës, në ato lagje që për athinasin e
thjeshtë quhen “lagje të pasura”… I mori të dhënat që kërkoheshin, shkoi e pa me kujdes
vendin, u konsultua me ligjet dhe rregulloret e shtetit dhe nisi punën projektuese… Pas dhjetë ditësh mori ndërmarrjen në telefon dhe u tha se projekti ishte gati. Pas vlerësimit të testit të “vonuar” dhe befasisë së përjetuar kjo përbënte një befasi që i kalonte
parashikimet. I panë projektet një nga një, me hollësi dhe imtësi, me lupë zmadhuese kur i thonë fjalës. Dhe, kur nuk gjetën asgjë për të kundërshtuar i thanë: “Që sot e tutje do të kesh pjesën tënde në ndërmarrjen tonë”. Ka kaluar kohë që atëherë. Inxhinieri i ri arkitekt shqiptar, në projektim e më pas në zbatim, u tregoi specialistëve grekë se ai ishte i aftë për gjëra të mëdha. Inxhinieri që kishte “fituar” konkursin, që tashmë bashkëpunonte me inxhinierin tonë si vartës, shpesh e më shpesh shkonte për të marrë këshilla e për të mësuar nga “alvanos-i”. Tani, pas shumë vitesh Ai nuk është më pjesë, nuk ka përqindje në atë ndërmarrje ndërtimi. E kundërta ka ndodhur, ajo ka pjesë në ndërmarrjen e tij, tashmë me një potencial e autoritet të lartë në projektime dhe ndërtime në të gjithë zonën lindore të Atikisë. Këto m’i tha Grigor Konduri, m’i tha si diçka të zakonshme, si një pjesë jete të kapërcyer për të në sajë të një pune me të vërtetë titanike në profesionin e projektuesit dhe ndërtuesit në një qytet të madh si Athina, ku konkurrenca dhe lufta për vende të tilla pune është në shkallë sipërore.







