Drejtuesi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar ashpër ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, duke deklaruar se ato prekin qytetarët për shkelje të lehta, ndërsa sipas tij, abuzimet me fondet publike nuk po trajtohen me të njëjtën ashpërsi.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, Bardhi u shpreh se ndryshimet e reja parashikojnë që parkimi i dyfishtë të konsiderohet vepër penale. Ai e cilësoi këtë si një standard të papranueshëm, duke kërkuar të dijë nëse ekziston një vend tjetër ku një shkelje e tillë trajtohet me burg.
“Kodi Penal ka ndryshuar disa herë dhe gjithmonë është përshtatur sipas standardeve të BE-së. Në vitin 2012, ky Kuvend miratoi dekriminalizimin e shpifjes. Sot jemi në një tjetër standard, ku kërkesa ndaj Shqipërisë është dekriminalizimi i plotë i shpifjes,” tha Bardhi.
Ai akuzoi mazhorancën se, ndërkohë që ashpërson masat për shkelje si parkimi i dyfishtë, ka dekriminalizuar korrupsionin. Bardhi përmendi raste që, sipas tij, përfshijnë abuzime me shuma të mëdha parash publike, duke deklaruar se zyrtarë të lartë vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre.
“Po parkove dysh i thoni shqiptarëve të çojmë në burg, ndërsa për abuzime me miliona euro nuk ka pasoja,” u shpreh ai, duke përmendur edhe emra të përfaqësuesve të qeverisë.
Bardhi:
Kodi Penal ka ndryshuar disa herë dhe gjithmonë është përshtatur sipas standardeve të BE-së.
Në 2012, ky Kuvend ka miratuar dekriminalizimin e shpifjes, sot jemi në një tjetër standard, ku kërkesa ndaj Shqipërisë na kërkojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes.
Më gjeni një vend të dytë që parkimin dysh ta kenë vepër penale. Këta që kanë dekriminalizuar korrupsionin, vjedhin 50 mln euro me një dorë dhe thonë pse të shkojë ajo në burg. Ama po parkove dysh të fut ky në burg dhe shefi i këtij. Në një vend ku ndërtohen kulla të reja dhe s’ka rrugë, këta të dënojnë për parkim dysh.
Po parkove dysh i thoni shqiptarëve të cojmë në burg, ama po vodhe apo abuzove me 1.1 mln euro si zv/kryeministrja juaj, ti duhet të vish këtu si numër 2 në karrigen e zv/kryeministres, madje jam i bindur se do vijë sot ta votojë Kodin Penal. Qytetari që parkon dysh duhet të futet në burg me votën e Belinda Ballukut kurse zv/kryeministrja vjedh 50 mln euro dhe vjen të votojë për ta futur qytetarin në burg.







