Ballina Kulturë Kush ishin katarët, grupi fetar që guxoi të sfidonte Kishën Katolike

Kush ishin katarët, grupi fetar që guxoi të sfidonte Kishën Katolike

12
0

Në fillim të shekullit XIII, Europa përjetoi rritjen e disa komuniteteve të krishtera disidente, mes tyre katarët dhe valdezët, të përhapur në rajone të ndryshme. Këto lëvizje vinin në dyshim elemente themelore të doktrinës katolike, si vlefshmëria e sakramenteve dhe roli i Kishës në shpëtimin e shpirtit. Ata besonin se Kisha ishte larguar nga ideali i krishterë dhe kërkonin një kthim te varfëria ungjillore. Para krijimit të Inkuizicionit, Kisha përpiqej ta zgjidhte këtë përçarje përmes debateve publike, me shpresën për t’i rikthyer disidentët në “besimin e vërtetë”.

Diego de Acebes, peshkop i dioqezës së Burgos de Osma në Kastilje, e pa nga afër përhapjen e katarizmit dhe paralajmëroi klerin e Francës jugore për nevojën e ndryshimit të stilit të jetesës. Ai e dinte se, kur priftërinjtë predikonin kundër herezisë, disidentët i akuzonin për hipokrizi dhe jetë luksoze. Nëse Kisha donte të kishte sukses, kleri duhej të hiqte dorë nga pasuria dhe të jetonte sipas asaj që predikonte. Në vitin 1207, në qytetin e Montrealit të Francës jugore, u organizua një debat publik mes udhëheqësve katarë dhe Diego de Acebesit me kanunin e tij, Dominik de Guzmánin (themeluesi i ardhshëm i Urdhrit Domenikan). Diakoni katar Arnaud Oth e quajti Kishën Katolike “Kisha e djallit”, duke e krahasuar me Babiloninë e përmendur në Apokalips.

Kryqëzata albigensiane

Trazirat fetare u shoqëruan me paqëndrueshmëri politike, veçanërisht në Okcitaninë e Francës jugore, ku kurora franceze nuk kishte autoritet të fortë. Kjo krijoi hapësirë për tolerancë fetare nga ana e fisnikëve dhe dobësoi ndikimin e Kishës. Disa figura të rëndësishme fisnike, si vikonti i Karasonës dhe kontët e Tuluzës e të Foix-së, mbështetën katarët. Papati reagoi me masa të ashpra: ligje që parashikonin ndëshkime të rënda për heretikët dhe thirrje drejtuar sundimtarëve për t’i dëbuar ata nga zotërimet e tyre.

Situata shpërtheu në janar të vitit 1208, kur legati papnor Pierre de Castelnau u vra. Papa Inoçenti III u bëri thirrje fisnikëve të Europës të bashkoheshin në një kryqëzatë kundër heretikëve dhe mbrojtësve të tyre. Në vitin 1209 nisi Kryqëzata Albigensiane, që synonte shkatërrimin e katarëve në të gjithë Francën jugore. Masakra e Béziersit, ku sipas disa burimeve u vranë deri në 20 mijë njerëz, u bë simbol i dhunës ekstreme të kësaj periudhe.

Ndërhyrja e Inkuizicionit

Kryqëzata përfundoi në vitin 1229 me Traktatin e Meaux-Paris mes mbretit francez dhe Raymond VII të Tuluzës. Konti u detyrua të pranonte sovranitetin francez, të tërhiqte mbështetjen për vasalët e tij dhe të ndihmonte Kishën në luftën kundër herezisë. Ai financoi Fakultetin e Teologjisë në Universitetin e Tuluzës dhe institucionalizoi procedurat inkuizitore. Prej këtij momenti, katarët u përballën me një mjedis gjithnjë e më shtypës.

Inkuizicioni, i formalizuar në shekullin XIII, u ngarkoi peshkopëve detyrën për të zbuluar dhe ndëshkuar heretikët. Papa Gregori IX e shpalli herezinë një krim të rëndë dhe i dha Urdhrit Domenikan kompetenca të gjera për hetime. U krijuan tribunale inkuizitore që vepronin pa një seli fikse.

Fitorja e represionit

Kulmi i veprimtarisë inkuizitore u arrit në Tuluzë në vitet 1245–1246, kur mijëra burra e gra u thirrën për t’u marrë në pyetje mbi besimin e tyre dhe kontaktet me heretikët. Ata që këmbëngulnin në bindjet e tyre dënoheshin si heretikë, u konfiskohej pasuria dhe dorëzoheshin autoriteteve civile për t’u djegur në turrë.

Në këtë periudhë u hartuan edhe manualet e para të inkuizitorëve, ku përcaktoheshin procedurat ligjore kundër atyre që përhapnin ose mbështesnin herezinë. Si pasojë, katarizmi u shpërbë në Francën jugore, por mbijetoi dhe u përhap në Italinë veriore, ku pasuesit njiheshin si patarinë. Ata gjetën mbështetje te elitat urbane dhe disa familje fisnike.

Ringjallja dhe fundi i katarizmit

Në fillim të shekullit XIV, Pierre Authier nga Foix udhëtoi në Lombardi, u konvertua dhe u kthye për të ringjallur katarizmin në Okcitani. Suksesi i tij çoi në hetime masive në fshatin Montaillou në vitet 1308 dhe 1320. Pas vdekjes së Authierit, lëvizja u shpërbë. Disa katarë u arratisën në Spanjë, mes tyre Guillaume Bélibaste, katar i fundit “perfectus”. Ai u tradhtua, u kap dhe me 24 gusht 1321 u dogj i gjallë, pa hequr dorë nga besimi i tij.

Me këtë akt simbolik u shua përfundimisht katarizmi si lëvizje e organizuar, por historia e tij mbetet një dëshmi e sfidës së guximshme ndaj autoritetit absolut të Kishës mesjetare.