Ballina Ekonomia Tatimet sqarojnë skemën e kompensimit për fermerët: rimbursim 10% dhe afatet për...

Tatimet sqarojnë skemën e kompensimit për fermerët: rimbursim 10% dhe afatet për aplikim

13
0

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një seri sqarimesh në formë pyetje-përgjigje lidhur me skemën e kompensimit për fermerët, duke detajuar mënyrën e përfitimit, normën e rimbursimit dhe afatet kohore për aplikim.

Sipas Tatimeve, norma e kompensimit për fermerët është 10%, e llogaritur mbi vlerën totale të produkteve bujqësore të furnizuara, të dokumentuara me faturë tatimore, për një periudhë 6-mujore. Kjo skemë synon të mbështesë prodhuesit bujqësorë dhe të formalizojë zinxhirin e tregtimit të produkteve bujqësore.

Si realizohet kompensimi

Kompensimi kryhet nëpërmjet faturimit nga blerësi i regjistruar për TVSH, i cili mund të jetë grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar. Ky subjekt lëshon autofaturë në emër të prodhuesit bujqësor (fermerit) për mallrat ose shërbimet e blera.

Vlera e kësaj fature përdoret për llogaritjen e kompensimit dhe në të duhet të shënohet NIPT-i i fermerit, si dhe të gjitha elementet e tjera të faturës tatimore, sipas legjislacionit në fuqi.

Kushtet për përfitim

Për të përfituar nga skema e kompensimit, fermeri duhet të plotësojë disa kushte kryesore:

-Qarkullimi vjetor të mos kalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH;

-Produktet ose shërbimet të jenë rezultat i punës së tij bujqësore;

-Mallrat ose shërbimet t’u shiten personave të tatueshëm, që nuk përfitojnë vetë nga skema e kompensimit;

Fermeri të jetë i pajisur me NIPT nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së.

Si aplikohet dhe kur përfitohet kompensimi

Kërkesa për kompensim paraqitet nga fermeri në Administratën Tatimore çdo 6 muaj, elektronikisht ose përmes shërbimit postar. Dokumentacioni duhet të përfshijë:

-Kopje të faturave të lëshuara nga blerësi për mallrat dhe shërbimet bujqësore;

-Numrin e llogarisë bankare të fermerit.

Afatet e aplikimit 

Deri më 31 dhjetor 2026, për furnizimet e kryera nga janari deri në qershor 2026;

Deri më 30 qershor 2027, për furnizimet e kryera nga korriku deri në dhjetor 2026.

Sipas Tatimeve, kompensimi kryhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së rregullt nga fermeri.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nxit fermerët dhe subjektet blerëse të respektojnë procedurat e faturimit dhe dokumentimit, duke theksuar se kjo skemë jo vetëm mbështet financiarisht prodhuesit bujqësorë, por kontribuon edhe në rritjen e formalizimit të sektorit bujqësor.