Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deputetja Jozefina Topalli ka lëshuar një sërë akuzash ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një pushtet që ka humbur busullën dhe që vepron në kurriz të qytetarëve dhe interesit publik.
Në fjalimin e saj, deputetja deklaroi se koncepti i “shtetit digjital” është në fakt një fasadë për atë që ajo e quajti “kapje përmes serverave”. Sipas saj, pushteti nuk po punon për transparencë, por për kontroll, dhe jo për qytetarin, por për klientelën e tij.
“Sot kemi një shtet ku krimi nuk luftohet, por koordinohet,” theksoi deputetja, duke shtuar se qeveria “rrëmben biznesmenë, jo për drejtësi, por për t’i detyruar të tërhiqen nga tenderat kur nuk janë të bindur.”
Më tej, ajo akuzoi se organizatat kriminale kanë futur duart në buxhetin e shtetit, ku “miliona zhduken nga paratë publike për t’u shfaqur në pasuri private”.
Topalli përmendi gjithashtu fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë, të cilat nuk arrijnë kurrë tek fermerët, por “treten në korrupsion, duke lënë fshatin bosh dhe rininë në emigracion”.
Deputetja pohoi se qeveria aktuale kontrollon çdo institucion, përfshirë parlamentin, drejtësinë, administratën dhe median, por nuk arrin të kontrollojë të vërtetën.
Rrënjën e kësaj situate ajo e sheh tek “zgjedhjet e vjedhura”, duke argumentuar se “kur vota nuk është e lirë, pushteti nuk ka themel dhe mbahet vetëm me forcë”.
Në përfundim të fjalës së saj, Topalli u shpreh se ka ardhur momenti kur shoqëria thotë “mjaft”. “Një qeveri që flet për satelitë dhe spitalet i lë në errësirë, ka humbur busullën. Shqipëria ka filluar ta thotë këtë,” përfundoi ajo.
Deklarata e plotë:
“Përqëndrohen në një rreth të ngushtë të lidhur direkt me pushtetin. Jo për transparencë, por për kontroll, jo për qytetarin, por për klientelën. Ky nuk është shtet digjital. Ky është kapje përmes servere. Sot kemi një shtet ku krimi nuk luftohet, por koordinohet.
Një shtet që rrëmben biznesmen, jo për drejtësi, por për t’i detyruar të tërhiqen nga tendera kur nuk janë të bindur. Një shtet ku organizata kriminale fusin në dorë buxhet dhe miliona zhduken nga paratë publike për t’u shfaqur në pasuri private.
Paratë e Bashkimit Evropian për bujqësinë, që nuk shkojnë tek fermeri, por treten në korrupsion, duke lënë fshatin bosh dhe rininë në emigracion. Dhe mbi të gjitha, një pushtet që kontrollon çdo institucion: parlamentin, drejtësinë, administratën, median, kontrollon gjithçka, përveç të vërtetës.
Zgjedhjet e vjedhura, që janë rrënja e këtij galbëzimi.
Kur vota nuk është e lirë, pushteti nuk ka themel dhe pushteti pa themel mbahet vetëm me forcë. Prandaj dhuna nuk është devijim, është pasojë. Por ka një moment kur marrëveshja me gënjeshtrën pushon së funksionuari, ku njerëzit ndalojnë të konformohen dhe shoqëria vjen një moment dhe thotë mjaft. Ky moment ka ardhur.
Sepse shpresa nuk është një optimizëm naiv, shpresa është një vendim moral, të mos jetosh më në gënjeshtër.
Një qeveri që flet për satelitë dhe spitalet i lë në errësirë, ka humbur busullën.
Një pushtet që premton të ardhmen dhe vjedh të tashmen, bie nga e vërteta. Dhe Shqipëria ka thotë, ka filluar ta thotë këtë së fundmi. Faleminderit”.







