Ballina Dossier ‘Ai do të më qëllonte’: Skandali seksual i viteve 1970 që çoi...

‘Ai do të më qëllonte’: Skandali seksual i viteve 1970 që çoi në një gjyq dramatik

22
0

Kur udhëheqësi i Partisë Liberale të Mbretërisë së Bashkuar, Jeremy Thorpe, pati një lidhje me një model mashkull, njerëz nga elita politike dhe e sigurisë në Britani e mbajtën të fshehtë. Por kur ish-i dashuri i Thorpe-it e tha të vërtetën në gjykatë, nisi një histori shumë më e çuditshme dhe tronditëse nga sa mund të imagjinohej.

Një lidhje homoseksuale e paligjshme, një komplot i dështuar dhe një qen i vrarë ishin në qendër të asaj që shtypi britanik do ta quante “gjyqi i shekullit”. Në qendër ishte Jeremy Thorpe: kryetar i Partisë Liberale, figurë e establishmentit dhe politikani i parë britanik i akuzuar për komplot dhe nxitje për vrasje. Historia u bë publike me 29 janar 1976, kur gjatë një seance të vogël gjyqësore, ish-i dashuri i tij Norman Scott bërtiti: “Jam përndjekur gjithë kohën nga njerëz për shkak të marrëdhënies sime seksuale me Jeremy Thorpe-in.” Dyshja u portretizua në dramën e BBC-së të vitit 2018 A Very English Scandal, me Hugh Grant në rolin e Thorpe-it dhe Ben Whishaw si Scott. Zbulimi i Scott-it ishte akti i parë i një historie që do të bëhej gjithnjë e më e çuditshme.

Thorpe u arsimua në kolegjin elitar Eton, ku u thoshte miqve se dy ambiciet e tij të mëdha ishin të bëhej kryeministër dhe të martohej me Princeshën Margaret. Për një adoleshent të privilegjuar, këto ëndrra nuk dukeshin të pamundura. Më vonë, si student juridiku në Oksford, ai ra në sy për veshjen e tij ekstravagante dhe talentin si debatues karizmatik. Pas diplomimit u bë avokat dhe prezantues televiziv, por ambicia politike vazhdoi. Në vitin 1959, në moshën 30-vjeçare, u zgjodh deputet liberal.

Megjithatë, pas fasadës publike, ai ishte fshehurazi homoseksual, në një kohë kur homoseksualiteti mashkullor ishte i paligjshëm. Përveç dënimit moral, ligji para vitit 1967 i linte njerëzit të pambrojtur ndaj shantazhit. Për një politikan me ambicie të larta, zbulimi do të ishte shkatërrues. Por Thorpe e pëlqente rrezikun dhe kishte disa lidhje të shkurtra. Në verën e vitit 1961, ai njohu një model të ri nga një familje e thjeshtë, Norman Scott, që nuk do të largohej lehtë nga jeta e tij.

Në vitin 1977, Scott i tha BBC-së se u takuan “në një derë stalle”. Në atë kohë ai quhej Norman Josiffe dhe punonte me kuaj. Ai tha se Thorpe “dukej njeri i ngrohtë” dhe filluan të takoheshin rregullisht. Scott ishte gjithmonë pa para dhe me probleme të shëndetit mendor. Kur u arrestua për vjedhje të dyshuar, Thorpe foli në mbrojtje të tij dhe e ndihmoi financiarisht. Ndërsa Thorpe duket se i zhduku letrat, Scott i ruajti ato si prova.

Ironikisht, ishte Scott ai që e ndërpreu lidhjen. Ai tha se nuk përballonte më presionin dhe nisi të fliste hapur për vrasjen e Thorpe-it dhe vetëvrasjen. Një mik njoftoi policinë. Gjatë marrjes në pyetje, Scott pranoi lidhjen dhe kishte letra për ta provuar. Por kush do ta besonte këtë njeri të paqëndrueshëm para një figure kaq të rëndësishme?

Shërbimet e sigurisë kishin dosje sekrete për jetën private të Thorpe-i, por nuk u bë hetim zyrtar. Në fillim të viteve 1960, Britania po tronditej nga skandale seksi dhe spiunazhi, dhe establishmenti nuk donte një tjetër. Scott i shkroi edhe nënës së Thorpe-it, gjë që e alarmoi atë. Thorpe i besoi mikut të tij Peter Bessell, i cili u përpoq ta qetësonte Scott-in me pagesa të vogla dhe premtime pune. Por Scott nuk u kënaq.

ImageNdërkohë, jeta personale e të dyve u ndërlikua. Thorpe u martua, humbi gruan në një aksident dhe më pas u rimartua. Scott u martua dhe u nda shpejt. Ndërsa karriera e Thorpe-it lulëzonte, Scott vazhdonte të kërkonte vëmendje. Në prag të zgjedhjeve të vitit 1974, një bashkëpunëtor i Thorpe-ite pagoi Scott-in 2500 paund për letrat komprometuese. Ato zgjedhje shënuan kulmin e karrierës së Thorpe-it, edhe pse ai nuk arriti të hynte në qeveri.

U thur një komplot

Pëshpëritjet për Thorpe-it nuk pushuan. Qoftë si ide që lindi nga biseda të rastësishme mes Thorpe-it dhe miqve të tij, qoftë nga një diskutim më i errët, u thur një komplot për ta frikësuar Scott-in. Bashkëpunëtorët e Thorpe-it kontaktuan Andrew Newton-in, një pilot linjash ajrore mjaft i shthurur dhe vrasës me pagesë jo profesionist. Në tetor 1975, Newton u miqësua me Scott-in duke pretenduar se ishte një detektiv privat i punësuar për ta mbrojtur nga dikush që planifikonte ta vriste. Ai e bindi Scott-in, që i besoi, të bënin një shëtitje me makinë në fshat, në errësirë. Newton mori me vete një armë, ndërsa Scott mori qenin e tij, një danez i madh plot energji, të quajtur Rinka.

Kur u ndalën në një pjesë të izoluar të rrugës, qeni kërceu nga makina. Scott kujtonte në vitin 1977: “Ajo po lehte dhe kërcente. Dhe pastaj ai thjesht e qëlloi. Dhe unë u përpoqa ta sillja sërish në jetë. U përkula dhe ai tha: ‘Tani e ke radhën ti.'” Scott e pa i tronditur, ndërsa Newton qëndronte duke u dridhur para dritave të makinës me armën në dorë. “Ma drejtoi armën… dhe papritur e kuptova se do të më qëllonte edhe mua,” tha Scott. Por arma u bllokua dhe Scott mbijetoi për ta treguar historinë. Newton u dënua me dy vjet burg. Në gjyqin e tij, ai pretendoi se Scott e kishte shantazhuar me një fotografi nudo.

Tre muaj pas kësaj përvoje të tmerrshme, Scott u paraqit në gjykatë për një akuzë të vogël mashtrimi me ndihma sociale. Pikërisht aty, me 29 janar 1976, ai bërtiti për “marrëdhënien time seksuale me Jeremy Thorpe-in”. Meqë Scott e bëri deklaratën në gjykatë të hapur, gazetarët ishin të mbrojtur nga ligjet për shpifjen dhe mund ta raportonin lirshëm akuzën. Afera Thorpe më në fund doli në publik.

Thorpe e mohoi menjëherë, por në maj gjërat u përkeqësuan, kur Peter Bessell, miku i tij dikur besnik nga Partia Liberale, vendosi të tregonte gjithçka. “Kaluan nga një mbulim privat i jetës personale të dikujt, në një mbulim të një tentative për vrasje,” i tha Bessell më vonë BBC Panorama-s. Ndërsa historia i dilte nga kontrolli, Thorpe pranoi që Sunday Times të botonte një letër të përzemërt që ai i kishte shkruar Scott-it në vitin 1962. Edhe pse qëndrimet më liberale të një dekade tjetër mund t’i kishin lejuar të vazhdonte betejën, ai vendosi të japë dorëheqjen si kryetar partie.

Historia mori një kthesë tjetër në tetor 1977, kur London Evening News doli me titullin sensacional: “Jam punësuar për të vrarë Scott-in.” I sapodalë nga burgu, Newton hoqi dorë nga mbrojtja e shantazhit dhe tani pretendonte se ishte paguar 5000 paund si pjesë e asaj që gazeta e përshkroi si “një komplot i errët që përfshinte një mbështetës të rëndësishëm liberal”. Pas nëntë muajsh hetimesh policore, Thorpe dhe tre bashkëpunëtorë u akuzuan për komplot për të vrarë Scott-in. Shtypi e quajti “gjyqi i shekullit”. Me kërkesë të Thorpe-it, ai u shty për tetë ditë, që ai të mund të luftonte për vendin e tij në Parlament në zgjedhjet e majit 1979. Ai humbi rëndë.

ImageNë fund të gjyqit, gjyqtari mbajti atë që Tom Mangold i BBC Panorama e përshkroi si “një nga fjalimet përmbledhëse më haptazi të njëanshme para një jurie”. Gjykatësi Cantley tha se, pasi tre dëshmitarët kryesorë të prokurorisë kishin bërë marrëveshje fitimprurëse për të shitur historitë e tyre në shtyp pas dënimit, dëshmitë e tyre ishin komprometuar. Bessell, tha gjyqtari, ishte “një hipokrit”, ndërsa Newton ishte “një budalla, gënjeshtar dhe pothuajse me siguri mashtrues”. Sa për Scott-in, ai u quajt “hajdut, mashtrues, parazit dhe qaraman”.

Nga ane tjetër, Thorpe ishte “një figurë kombëtare me një rekord publik shumë të dalluar”. Në përmbledhjen e tij, e tallur më vonë nga komediani Peter Cook, gjyqtari i udhëzoi jurinë se, nëse kishte ndonjë dyshim të arsyeshëm që Thorpe kishte planifikuar të vriste Scott-in, ata duhej ta shpallnin të pafajshëm. Vendimi ishte: i pafajshëm. Duke folur më vonë me gruan e tij besnike Marion në krah, Thorpe tha: “Gjithmonë kam këmbëngulur se jam i pafajshëm për akuzat ndaj meje, dhe vendimin e jurisë, pas një shqyrtimi të gjatë dhe të kujdesshëm, e konsideroj plotësisht të drejtë dhe një shfajësim të plotë.”

Pas gjyqit, Scott u tërhoq nga vëmendja publike. Në vitin 2022, në moshën 82-vjeçare, ai botoi autobiografinë e tij, me titull An Accidental Icon. Sa për Thorpe-in, ai u tërhoq nga jeta publike, duke ruajtur pafajësinë e tij deri në fund. Ai vdiq në vitin 2014. Në një intervistë për Guardian në vitin 2008, Thorpe reflektoi mbi aferën: “Po të ndodhte sot, mendoj se publiku do të ishte më i butë. Atëherë ishin shumë të trazuar nga kjo. U cenonte sistemin e tyre të vlerave.” / BBC