Ballina Aktualitet “Burg kush prek gazetarët”, avokati: Mbrojtja ligjore forcon pushtetin e medias!

“Burg kush prek gazetarët”, avokati: Mbrojtja ligjore forcon pushtetin e medias!

17
0

Dhuna ndaj gazetarëve do të dënohet deri në 5 vite burg. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime të ashpra për këdo që ushtron dhunë ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas ndryshimeve të reja, edhe kërcënimi ndaj gazetarëve do të dënohet deri në 3 vite burg. Ndryshimet u miratuan me 85 vota të mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. Po ashtu, shpifja ndaj gazetarëve është dekriminalizuar.

I ftuar në emisionin “Tirana Live”, avokati Arbër Hoxha u shpreh se përfshirja e gazetarëve si subjekt i posaçëm në Kodin Penal rrit dhe forcon pushtetin e medias, si dhe rolin e gazetarëve në shoqëri.

Sipas tij, në draftin e ri duhet të përcaktohet qartë se mbrojtja nuk duhet të përfshijë vetëm gazetarët, por edhe të gjithë punonjësit e medias. Avokati theksoi se duhet një rikonceptim i plotë ligjor, duke bërë subjekt të posaçëm në Kodin Penal edhe punonjësit e medias, jo vetëm gazetarët.

Ai shtoi se media nuk mund të etiketohet apo të konsiderohet pjesë e pushtetit, pasi ajo është një institucion i pavarur.

“Mbrojtja e gazetarëve si subjekt i posaçëm nëpërmjet Kodit Penal rrit dhe forcon pushtetin e medias, por edhe të gazetarëve. Në draftin e ri duhet të përcaktohet që duhet të mbrohen jo vetëm gazetarët, por edhe të gjithë punonjësit e medias.

Duhet të ishte kryer prej vitesh, por më mirë vonë sesa kurrë. Kjo e fuqizon rolin e medias. Duhet të ketë një rikonceptim, edhe punonjësit e medias duhet të jenë subjekt i posaçëm në Kodin Penal. Media nuk duhet të cilësohet pjesë e pushtetit, ajo është e pavarur”, tha ai.