Një video në Instagram është bërë virale ditët e fundit, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm për dizajnin mbresëlënës, por edhe për pyetjet që ngre mbi koston gjithnjë e më të lartë të jetesës në Nju Jork. Protagonistë janë një çift vlogerësh udhëtimesh, me gati dy milionë ndjekës, të cilët tregojnë se si kanë arritur të jetojnë në Manhattan “pa qira”, duke shndërruar një autobus shkolle 12 metra të gjatë në një shtëpi tërësisht funksionale.
Në pamjet e videos, dera e autobusit hapet dhe zbulon një ambient që nuk ka asgjë të përbashkët me shtëpitë e zakonshme të lëvizshme. Shkallët prej mermeri, hapësirat e dizajnuara me kujdes dhe detajet luksoze krijojnë ndjesinë e një shtëpie klasike. I pari që shfaqet është një nga qentë e çiftit, Ricky, ndërsa menjëherë pas tij shfaqet edhe pronari, duke prezantuar ambientin e brendshëm.
Turi vazhdon me një kuzhinë të organizuar në mënyrë perfekte, ku çdo dollap dhe sipërfaqe është menduar për të shfrytëzuar maksimalisht hapësirën e kufizuar. Pranë saj ndodhet zona e ngrënies, e cila fsheh hapësira inteligjente magazinimi. Një sobë druri i jep ngrohtësi ambientit, ndërsa një tavolinë kompjuteri shërben si për punë, ashtu edhe për lojëra.
Në dhomën e ndenjes, divani shndërrohet në një krevat dopio për mysafirët, ndërsa një nga detajet më të pazakonta është një kopsht hidroponik, ku çifti kultivon perime dhe bimë. Në mur, një hartë e madhe tregon të gjitha vendet që ata kanë vizituar deri më tani, duke shërbyer si një ditar personal udhëtimesh.
Dhoma kryesore e gjumit përshkruhet nga çifti si një “suitë”, e pajisur me dollapë të mëdhenj, ajër të kondicionuar për ngrohje dhe ftohje, si dhe hapësirë të bollshme. Edhe banjo është mbresëlënëse, me një vaskë të madhe me përmasa të plota – një luks që rrallë gjendet edhe në apartamentet e Nju Jorkut.
Sipas tyre, shtëpia-autobus ka një sipërfaqe totale prej rreth 25 metrash katrorë, çka, siç theksojnë, e bën atë më të madhe se shumë apartamente urbane. Çifti thotë se ka gjithçka që i nevojitet për një jetë të rehatshme, pa kompromise në përditshmëri, duke ofruar një alternativë kreative ndaj krizës së strehimit dhe qirave të larta në metropolin amerikan.







