Ballina Aktualitet Durrës, IKMT kërkon t’u prishë banesat, 16 familje rome tek Ura e...

Durrës, IKMT kërkon t’u prishë banesat, 16 familje rome tek Ura e Dajlanit mbeten të pastreha. U refuzohet shtyrja e vendimit, bonus qiraje

0
38

Përfaqësuesit e 16 familjeve, banesat e të cilave ndodhen pranë kanalit të ujërave të larta tek Ura e Dajlanit, kanë qenë sot në bashkinë e Durrësit për të gjetur një zgjidhje pasi IKMT do t’u prishë shtëpitë.

Prej disa ditësh, ata janë njoftuar për prishjen e banesave të tyre, për shkak të zgjerimit të kanalit, por institucionet shtetërore nuk u kanë lënë kohë të përmbushet as afati ligjor prej 10 ditësh për të gjetur një strehë tjetër.

IKMT ka vendosur si afat të fundit për prishjet ditën e mërkurë, ndërsa banorët kërkojnë nga bashkia strehim dhe bonus qiraje, sepse nuk mund të flaken në rrugë pas 20 vitesh që jetojnë aty.

Një përfaqësues i organizatës Ushten, që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian, Ismail Jakupi, tha se gjatë takimit ku ishin të pranishëm specialistë të bashkisë banorëve iu premtua se do t’u lidhet bonus qiraje.

Paavarësisht kërkesave të banorëve për të shtyrë afatin e prishjeve, IMKT u deklaroi përfaqësuesve të banorëve, se urdhri për prishjet do të zbatohet ditën e sotme, pasi dy ditët në vijim priten reshje të dendura shiu.

Më herët, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako njoftoi në rrjete sociale se do të vijohet me prishjen e çdo objekti që pengon zgjerimin, por edhe me pastrimin e mirëmbajtjen e kanaleve kulluese.