Hamilton ishte në timonin e SF-26 në një pasdite me shi të martën në Barcelonë, ndërsa nuk ka hezituar të japë mendimin e tij për Ferrarin e ri.
Piloti i njohur, është shprehur i kënaqur me performancën fillestare të makinës, pas xhirove të para testuese të sezonit.
“Ishte një ditë mjaft impenjative, sepse filloi të binte shi paradite, – ka thënë Hamilton për sitin e F.1 – Të kuptonim si funksionojnë gomat ishte vërtet produktive. Bashkë me Leclerc kemi bërë rreth 120 xhiro. Duke ditur që ishte lagështirë dhe me flamur të kuq (për daljen nga pista të Hadjar), mendoj se është një rezultat solid, prandaj jam krenar për të gjithë në fabrikë që e kemi sjellë makinën në këtë pikë”.
“Kemi marrë shumë informacion nga makina.
Duhet të vazhdojmë kështu, ka shumë për të bërë, por ishte një ditë e parë e mirë, – ka vazhduar 7 herë kampioni i botës. – Dua të them se mund të shkonte më keq. Nuk pati probleme serioze, bëhet fjalë për detaje të vogla që duhen përmirësuar. Dua ta provoj makinën në pistë të thatë, dua të kuptoj se si ta përdor sa më mirë baterinë gjatë xhiros, si ta karikoj e kështu me radhë”.







