Ballina Rajoni Horror në Selanik: Gjenden dy gra të vdekura në një bodrum, njëra...

Horror në Selanik: Gjenden dy gra të vdekura në një bodrum, njëra prej tyre ishte hedhur në kazanin e plehrave

19
0

Një ngjarje tronditëse ka vënë në alarm autoritetet greke në Selanik gjatë 24 orëve të fundit. Dy gra, përdoruese droge, u gjetën të vdekura në bodrumin e një 52-vjeçari, i cili u arrestua dhe pranoi para policisë se ishte i përfshirë në vdekjen e tyre.

Sipas policisë, viktima e parë është një grua 46-vjeçare, e cila rezultonte e zhdukur që nga viti 2024. Familja e saj kishte denoncuar zhdukjen në shkurt 2025 në Policinë e Aleksandrupolit, duke deklaruar se nuk kishin pasur kontakt me të që nga shtatori 2024. Hetimet zbuluan se ajo nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë.

Autori 52-vjeçar deklaroi se më 30 tetor 2024 ndodhej me 46-vjeçaren në bodrumin e banesës së tij për të konsumuar drogë. Me ta ishte edhe një tjetër person, gjithashtu përdorues droge.

Sipas dëshmisë së tij, gruaja po fliste në telefon dhe filloi të bërtiste, moment në të cilin ai dhe personi tjetër i mbuluan gojën, duke i shkaktuar asfiksi fatale. Më pas, trupin e saj e hodhën në një kazan mbeturinash.

Sa i përket viktimës së dytë, autori pretendon se ajo vdiq më 24 korrik 2025, gjithashtu në bodrumin e tij, pas përdorimit të drogës. Ai tha se më pas e transportoi trupin në çatinë e pallatit ku banon dhe e fshehu në një papafingo.

“Ra në gjumë dhe nuk u zgjua më”, ka deklaruar ai, ndërsa autoritetet theksojnë se autopsia do të zbardhë shkaqet reale të vdekjes.

Hetimet morën kthesë vendimtare kur oficerët e policisë konstatuan se dy gratë e zhdukura kishin një njohje të përbashkët me 52-vjeçarin. Pas ndjekjes së tij, policia ndërhyri dhe e arrestoi. Aktualisht, hetimet e policisë greke janë në zhvillim, ndërsa ekipe speciale po kontrollojnë banesën ku dyshohet se ndodhën krimet.

Autoritetet bëjnë me dije se pritet edhe arrestimi i personit tjetër që, sipas dëshmisë së autorit, ishte i pranishëm në bodrum gjatë vrasjes së parë.