Ballina Sport Klubi anglez jep alarmin për sigurinë në Napoli

Klubi anglez jep alarmin për sigurinë në Napoli

26
0

Përpara ndeshjes vendimtare të Champions League ndaj Napolit, Chelsea ka njoftuar se dy tifozë të klubit janë dërguar në spital në Napoli, pas një incidenti që ndodhi mbrëmë në qytetin italian.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit, të dy tifozët kanë pësuar lëndime që fatmirësisht nuk i kanosen jetës, por kanë kërkuar trajtim mjekësor, njoftojnë mediat italiane.

Chelsea ka lëshuar një udhëzim për të gjithë tifozët që ndodhen në qytet për ndeshjen, duke iu kërkuar atyre të ushtrojnë “kujdes maksimal”, t’i ndjekin rekomandimet e sigurisë dhe të jenë vigjilentë gjatë qëndrimit në Napoli.

Si pjesë e këtyre këshillave, mbështetësit e Chelseat janë inkurajuar të mos ecin të vetëm nëpër qytet, të mos mbajnë veshje apo simbole që i identifikojnë si tifozë të klubit, dhe të përdorin transportin zyrtar nën shoqërimin e policisë drejt stadiumit.

Rreth 2,500 tifozë të Chelseat priten të jenë prezentë në stadium për ndeshjen me Napolin, e cila është e fundit në fazën e ligës të Ligës së Kampionëve dhe vendimtare për ta siguruar një vend në fazën e 1/8-ve.

Klubi i Premierligës e ka ripërsëritur thirrjen që mbështetësit të jenë të kujdesshëm dhe t’i ndjekin udhëzimet e sigurisë gjatë qëndrimit në qytet, për të shmangur situata të rrezikshme para ndeshjes të mërkurën mbrëma.