Shkencëtarët atomikë e kanë vendosur orën e kiametit për këtë vit më afër mesnatës se kurrë më parë.
Buletini i Shkencëtarëve Atomikë e vendosi vetëm 85 sekonda para mesnatës, që është simbolikisht pika e asgjësimit. Ora e Kiametit demonstron sa afër është njerëzimi me katastrofën globale, me mesnatën që përfaqëson apokalipsin.
Ata argumentojnë vendimin duke përmendur sjelljen agresive të fuqive bërthamore si Rusia, Kina dhe SHBA-të, dobësimin e kontrollit të armëve bërthamore, konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Shqetësime të tjera janë edhe inteligjenca artificiale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet biologjike.
“Sigurisht, Ora e Kiametit ka të bëjë me rreziqet globale dhe ajo që kemi parë është një dështim global në lidership”, tha Alexandra Bell – eksperte bërthamore.
Bell përmend edhe tensionet e vazhdueshme në Azi, kërcënimet e Kinës ndaj Tajvanit dhe tensionet në rritje në Hemisferën Perëndimore pas rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë.
Organizata jofitimprurëse e krijoi orën e Kiametit në vitin 1947 gjatë tensioneve të Luftës së Ftohtë, që pasuan Luftën e Dytë Botërore, për të paralajmëruar publikun se sa afër ishte njerëzimi me shkatërrimin e botës.







