Robbie Williams ka folur hapur për periudhat më të errëta të jetës së tij gjatë kohës që ishte pjesë e grupit Take That, duke zbuluar betejën e tij me depresionin dhe alkoolit në mesin e viteve 1990. Në dokumentarin “Take That”, i cili pati premierën të martën, më 27 janar, në platformën Netflix, këngëtari përshkruan gjendjen e rëndë emocionale dhe fizike që po përjetonte në atë periudhë. “Isha shumë i dëshpëruar. Kthehesha në hotel dhe pija një shishe të tërë vodka. Pija derisa më binte të fikët,” rrëfen Williams.
Ai shton se ishte “i humbur fizikisht dhe mendërisht”, duke theksuar se ishte vetëm 19 apo 20 vjeç kur alkoolizmi arriti kulmin. “Isha në mes të alkoolizmit tim. Ishte koha më e keqe,” kujton këngëtari. Williams zbulon se nuk ishte në gjendje të fillonte ditën pa konsumuar alkool. “Nuk mund të zgjohesha apo të funksionoja pa pirë ndoshta një shishe vodka,” thotë ai, duke shtuar se shpesh shkonte në prova në gjendje të dehur dhe nuk ishte në gjendje të kontribuonte normalisht. “Trupi im ishte plot me toksina, koka më dhembte dhe nuk mund të përpunoja informacionin.”
Sipas tij, problemet me alkoolin dhe shëndetin mendor krijuan tensione serioze brenda grupit dhe çuan në largimin e tij të parë nga Take That në vitin 1996. Megjithatë, ai u ribashkua me grupin në vitin 2010, pas pajtimit me anëtarët e tjerë, por u largua sërish një vit më vonë për t’u përqendruar në karrierën e tij solo. Dokumentari “Take That” hedh dritë mbi prapaskenat e famës së hershme të grupit dhe sfidat personale me të cilat u përballën anëtarët e tij, përfshirë edhe Williams, gjatë kulmit të suksesit të tyre.







