Juristi Romeo Kara, ka deklaruar se çështja e heqjes së imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku po zvarritet, ndërsa sot ishte parashikuar që të mblidhej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK, por Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes pa afat.
I ftuar në një emision televiziv, juristi Romeo Kara tha se Gjykata Kushtetuese, ka marrë një urdhër politik, duke dështuar në ushtrimin e funksionit të saj.
‘Së pari, mendoj se bëhet fjalë për dy institucione të ndryshme. Këshilli i Mandateve nuk ka asnjë arsye ligjore që ta lidhë këtë çështje me një proces gjyqësor në zhvillim. Bëhet fjalë për një proces të iniciuar nga Kryeministrja, që lidhet me kompetencat e saj dhe jo me një procedurë penale apo me një çështje që po shqyrtohet në gjykatë.
GJK ka marrë urdhër politik për mua në favor të dështimit të punës së saj si gjykata. Gjykata, në këtë rast, nuk ka dhënë ende një vendim dhe nuk ka asnjë urdhër, nëse gjykata do ta kishte konsideruar çështjen si sensitive, ajo do të kishte dhënë një vendim. Kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, afatet po tejkalohen dhe procesi po zvarritet në mënyrë të pajustifikuar. Në thelb, kjo situatë tregon se mazhoranca po përdor forcën e kartonit për të fituar kohë dhe për të bllokuar çështjen’, tha ai.
Teksa u ndal tek puna e SPAK, juristi deklaroi se SPAK ka rënë në demotivim. Ai theksoi rëndësinë e rolit të SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe nevojën që institucioni të veprojë pa presione.
“Unë sot kam ngritur zërin tek pjesa e drejtësisë, tek SPAK-u, i cili ka rënë në demotivim. Ata njerëz duhet ta gjejnë motivimin dhe të vazhdojnë punën”, u shpreh Romeo Kara.
Juristi Kara u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë ndaj poshtërimit që, sipas tij, u bëhet nga politika dhe të marrin në dorë fatin e tyre.
‘Në këtë vend një qytetar hqiptar është diskriminuar dhe është lënë i pambrojtur. Sistemi i vlerave ka rënë. Dhe në momentin kur mazhoranca ushtron një kontroll kaq të fortë dhe të pakufizuar mbi institucionet, ky është hapi i fundit përpara rënies. Kjo krizë nuk vjen nga jashtë, por krijohet nga vetë pushteti. Qytetarët duhet që të çohen nga poshtërimi që i bëhet nga politika dhe të marrin në dorë fatin e tyre’, tha ai.







