Ballina Politika Truku i Ramës me dekriminalizimin e shpifjes/ Organizatat evropiane: Bie ndesh me...

Truku i Ramës me dekriminalizimin e shpifjes/ Organizatat evropiane: Bie ndesh me standardet e BE

23
0

Kuvendi i Shqipërisë miratoi pas 18 orësh ndryshimet në Kodin Penal.

Ajo që bie në sy është se me 85 vota pro u miratua edhe dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët.

Në një reagim pak para votimit, Federata Europiane e Gazetarëve, që përfshin disa nga organizatat më të njohura të medieve në kontinent, tha se kjo është një manovër, pasi nuk duhet dekriminalizim i pjesshëm i shpifjes, por i plotë.

Për më tepër, këto organizata theksojnë se dekriminalizimi i pjesshëm bie ndesh me standardet e BE-së.

PJESE NGA DEKLARATA

Organizatat tona mirëpresin veçanërisht forcimin e mbrojtjes penale kundër dhunës dhe kërcënimeve serioze që synojnë gazetarët për shkak të detyrave të tyre profesionale, veçanërisht përmes ndryshimeve në Nenin 237 dhe 238 të Kodit Penal, të cilat adresojnë shqetësime të hershme lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe detyrimet pozitive të shtetit sipas ligjit evropian të të drejtave të njeriut.

Në të njëjtën kohë, standardet evropiane bëjnë të qartë se qasjet e pjesshme ose të bazuara në status për dekriminalizimin e shpifjes janë të pamjaftueshme për të mbrojtur në mënyrë efektive lirinë e shprehjes. Për sa kohë shpifja mbetet një vepër penale, ajo ka efekt frikësues mbi gazetarët, aktorët e shoqërisë civile, aktivistët, denoncuesit (whistleblowers) dhe të tjerët që monitorojnë interesin publik.

Për këtë arsye, dekriminalizimi i plotë i shpifjes dhe ofendimit mbetet i vetmi rezultat i pranueshëm për të siguruar përputhje të qëndrueshme me standardet evropiane dhe për të mbrojtur shprehjen e interesit publik në Shqipëri.

Në këtë kontekst, ne vërejmë se ndryshimet e miratuara së fundmi nuk arrijnë ende këtë objektiv. Teksti aktual parashikon një përjashtim të kufizuar, të bazuar në status, nga përgjegjësia penale, i aplikueshëm vetëm për gazetarët e përshkruar si “të regjistruar dhe të njohur” dhe vetëm në lidhje me shpifjen, ndërsa ofendimi mbetet vepër penale. Kjo qasje ngre shqetësime lidhur me sigurinë juridike, mbrojtjen e barabartë të lirisë së shprehjes dhe efektin frikësues të vazhdueshëm të ligjit penal mbi debatin publik.

Në veçanti, kufizimi i mbrojtjes vetëm për një kategori të ngushtë profesionale rrezikon të përjashtojë folës të tjerë që veprojnë për interesin publik, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, aktivistët, studiuesit, denoncuesit dhe qytetarët, të cilët luajnë një rol thelbësor në diskursin demokratik. Për më tepër, referencat për “gazetarë të regjistruar dhe të njohur” janë problematike në një kontekst ku Shqipëria nuk ka një sistem formal për regjistrimin e gazetarëve dhe ku mekanizma të tillë do të ishin të papajtueshëm me standardet evropiane mbi lirinë dhe pavarësinë e mediave.

Ne gjithashtu vërejmë se mbajtja e veprave penale paralele, si ofendimi, dobëson efektivitetin e reformave të pjesshme duke lejuar që shprehja kritike të ndiqet penalisht sipas dispozitave alternative, duke ruajtur kështu presionin e ligjit penal mbi shprehjen.