Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s, pasi u njoh me shkrimet e gazetarëve të medias Amfora mbi manipulimet e institucioneve të trashëgimisë kulturore, të cilat bënë të mundur shkëputjen e një pjese të zonës së mbrojtur të Parkut të Butrintit për t’i hapur rrugë ndërtimit të Manastiri Resort, ka kërkuar shpjegime nga autoritetet shqiptare.
Sipas medias Amfora, arkeologia Iris Pojani, drejtuese e Degës së Arkeologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ka kryer një sondazh arkeologjik i cili ka manipuluar të dhënat e mëparshme të kërkimeve arkeologjike, duke i hapur rrugë Ministrisë së Kulturës, të drejtuar nga znj. Kumbaro, që të kalonte të gjitha hallkat ligjore për miratimin e projektit të Manastirit.
Ministria e Kulturës, e cila ka detyrim ligjor të dërgojë arsyetimet e saj mbi heqjen e zonës së mbrojtur të Butrintit, duhet të kthejë përgjigje përpara diskutimit në qershor të vitit 2026, në sesionin e ardhshëm të Qendrës së Pasurive Botërore të UNESCO-s.
UNESCO ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të dorëzojnë shpjegime dhe dokumentacion të plotë lidhur me:
ndryshimet territoriale të Parkut Kombëtar,
menaxhimin e integruar të trashëgimisë,
ndikimin e projekteve zhvillimore në vlerat e Trashëgimisë Botërore,
dhe nëse procedurat e vlerësimit arkeologjik janë ndjekur sipas standardeve ndërkombëtare.
Këto argumente pritet të jenë pjesë e diskutimeve në sesionin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që do të mbahet qershor 2026, ku autoritetet shqiptare duhet të japin përgjigje dhe shpjegime të detajuara.







