Stuhia Christine, e cila ka goditur Portugalinë ka shkaktuar vdekjen e pesë personave, ndërsa 450 mijë banesa janë pa energji elektrike, sipas autoriteteve.
Ky numër i ri u konfirmua për AFP nga një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Viktima e pestë, është një 34-vjeçar, i cili ndërroj jetë për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit. Mediat e huaja shkruajnë se ata vdiqën nga rënia e pemëve dhe strukturave metalike, ndërsa një person tjetër u gjet i vdekur në një kantier nga arresti kardiak.
Shumica e familjeve dhe infrastrukturës së prekur janë në departamentin Leiria, ku stuhia shkaktoi dëme të konsiderueshme në rrjetin elektrik me rënien e shtyllave dhe linjave të tensionit të lartë, duke ngadalësuar punën e restaurimit, sipas mediave lokale.
Përveç kësaj, trafiku i trenave në shumë linja, duke përfshirë aksin Lisbonë-Porto, ka hasur probleme. Në të njëjtën kohë, shumë shkolla në pjesën qendrore të vendit mbetën të mbyllura për arsye sigurie, siç shpjegohet nga komuna e Castello Branco.
Zjarrfikësit në Leiria u detyruan të ndërhyjnë disa herë këtë mëngjes për t’u marrë me grumbullimin e ujit dhe dëmtimin e çatisë së banesave, për shkak të stuhisë.
Qeveria portugeze e ka përshkruar këtë stuhi si një fenomen ekstrem meteorologjik që shkaktoi dëme të konsiderueshme në shumë zona të vendit







