Zydi Turdiu, një nga pasardhësit e familjeve të mëdha tiranase – Turdiu – Zydi Turdiu është ndarë nga jeta këtë të enjte, datë 29 Janar. Lajmin e trishtë e jep deputeti demokrat Belind Këlliçi, i cili nxjerr në pah edhe kontributin e tij për Partinë Demokratike.
“Sot mbylli sytë përgjithmonë Zydi Turdiu, pasardhës i një prej familjeve të mëdha tiranase, familjes Turdiu. Zydiu së bashku me familjarë të tij kanë qenë themelues të PD në kryeqytet dhe anëtar qe prej vitit 1991.
Ai ka qenë Kryetar i Komisionit të Revizionimit PD, Anëtar i Këshillit Kombëtar deri më vitin 2000, si dhe Kryetar i parë i shoqatës Tirana, në vitet 1992-1997.
Tirana sot humbi një qytetar model, familja e tij politike PD humbi një themelues, ndërsa fisi Këlliçi humbi një mik e të afërm model. Shpirti i tij u prehtë në paqe”, shkruan deputeti demokrat Belind Këlliçi.
Pesë vite më parë, në Mars 2021, Zydi Turdiu humbi edhe bashkëshorten. Emel Turdiu, e cila ishte bija e familjes së nderuar Sakiqi, mbylli sytë përgjithmonë pas një jete jo fort të qetë, me dallgë e tallaze.







