Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka kërkuar institucioneve shtetërore ndërhyrje urgjente për forcimin e sigurisë në të gjitha gjykatat e vendit. Përmes një thirrjeje zyrtare, KLGJ thekson nevojën për vendosjen e Policisë së Shtetit në çdo gjykatë, me prezencë të përhershme, personel të trajnuar dhe plane të dedikuara sigurie.
Ndër masat e kërkuara përfshihen edhe mbështetja buxhetore, përmirësimi i infrastrukturës së sigurisë, si dhe klasifikimi i gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë.
KLGJ nënvizon gjithashtu domosdoshmërinë e rishikimit të kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, me qëllim përcaktimin e qartë të kompetencave, përgjegjësive dhe burimeve financiare ndërinstitucionale. Një tjetër pikë kyçe është rishikimi i plotë i protokolleve të hyrje-daljes në gjykata, përfshirë procedurat e kontrollit për palët, dëshmitarët dhe të pandehurit.
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë Gjyqësor u bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit, të hartojnë një Plan Kombëtar për Sigurinë në Gjykata. Ky plan duhet të përcaktojë qartë përgjegjësitë institucionale, afatet e zbatimit, burimet financiare, si dhe mekanizmat e kontrollit dhe raportimit.
Sipas KLGJ-së, dokumenti strategjik duhet të përfundojë brenda një kohe sa më të shkurtër dhe të shërbejë si bazë për ristrukturimin e plotë të sistemit të sigurisë në gjykata. Këshilli shprehet i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet përkatëse dhe të kontribuojë me ekspertizën e tij në hartimin e këtij plani kombëtar.







