Ballina Aktualitet Pasi e morën peng dhe e fëlliqën, AKSHI i jep 450 milionë...

Pasi e morën peng dhe e fëlliqën, AKSHI i jep 450 milionë Gerond Meçes

31
0

Në botën e teknologjisë shqiptare, historia e dashurisë mes institucioneve dhe klientëve të tyre besnikë i kalon edhe skenarët më të guximshëm të Netflix-it.

Protagonisti i fundit është Gerond Meçe dhe kompania e tij “Advanced Business Solutions – ABS”, i cili sapo ka fituar një tender të majmë nga AKSHI, i drejtuar (zyrtarisht) nga Mirlinda Karçanaj, e cila aktualisht po “shijon” qetësinë e arrestit në shtëpi.

Nëse dikur SPAK-u na thoshte se Meçen e morën peng, e kërcënuan dhe e “fëlliqën” vetëm e vetëm që të mos fuste hundët në tenderat e AKSHI-t, këtë herë duket se plagët janë shëruar me një kafshatë prej 443 milionë lekësh (me TVSH).

Pasi propozoi dhe miratoi burgun për parkimet, Lamallari apelon: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale

Objekti i tenderit? Mirëmbajtja e sistemit elektronik të vizitave nëpër burgje (IEVP). Ironia këtu është aq e trashë sa mund të pritet me thikë: Meçe do të mirëmbajë hyrje-daljet e institucionit ku me shumë mundësi mund të përfundojë më vonë pikërisht titullarja që i jep tenderin. Një cikël i mbyllur mirënjohjeje!

Matematika e “Garës”:

Në këtë garë “të hapur dhe transparente”, numrat flasin vetë:

Përqindja: Meçe e ka rrëmbyer tenderin me rreth 79% të fondit limit.

Për ta bërë atmosferën edhe më festive, në tender morën pjesë 5 kompani. Por, siç ndodh rëndom në teatrin tonë të prokurimeve, njëra prej tyre ishte aty thjesht “për numër”, duke mos paraqitur asnjë ofertë ekonomike, mbase kishin harruar makinën llogaritëse në shtëpi, ose thjesht nuk donin t’i prishnin gjumin fituesit të paracaktuar.

Nga “pengmarrja” te “pajtimi”:

Është vërtet emocionuese të shohësh se si AKSHI dhe Meçe kanë lënë pas të kaluarën e trazuar. Nga koha kur e detyronin me forcë të tërhiqej nga garat, sot jemi në fazën ku paratë publike rrjedhin lumë drejt tij për të monitoruar kush hyn e kush del nga burgu.

Duket se në Shqipëri, rruga më e shpejtë për të fituar një tender miliona eurosh është të kalosh fillimisht nga një kalvar “fëlliqjeje” dhe pengmarrjeje. Me sa duket, pasi të marrin peng, vjen radha të të marrin në krahë dhe të të mbulojnë me thasë me lekë.