Ballina Aktualitet Tregu i zemrës/Çmimet e frikshme të kardiokirurgjisë

Tregu i zemrës/Çmimet e frikshme të kardiokirurgjisë

4
0

Nga Osman Stafa 

Kardiokirurgjia në QSUT, nuk njeh sprapsje. Atje vazhdohet të kërkohet kafe me shumë sheqer. Sheqeri nuk matet me lugë, por me 3-4-5 mijë euro. Por në vend që të marrin masa, mjekëve kardiokirurgë u kërkohet “kujdes”, që të mos flasin shumë hapur me pacientët. E frikshme kjo të ndodhë nga njeriu që unë e konsideroja “pasuri”, “të artë”, “fat” për Shqipërinë. Ai e di, se unë ia kam thënë.

Janë njerëz të varfër, me pamundësi, me halle, me probleme. Si mund t’u merren shifra të çmendura këtyre?

Ku është humaniteti i mjekut këtu?

Patjetër që jeni të papaguar, por t’ju dalë muaji me 70-100 mijë euro, është e frikshme.

Ja llogaria që më bëri një prej tyre.

Minimumi për një sallë në shtet marrin 3 mijë euro. 3 salla në javë= 9 mijë euro.

Sa mbarojnë sallën në shtet shkojnë në privat, ku mjeku merr me qira sallën. Kushton 8-9 mijë euro operacioni. 5 i merr kardiokirurgu, 3-4 spitali. Pra 3 operacione në privat= 15 mijë euro. 15 mijë euro privati+9 mijë euro shteti = 24 mijë euro java.

4 javë × 24 mijë euro = 96 mijë euro muaji.

Këto shifra janë një çmenduri.

Ju nuk po bëni mjeksi, të nderuar kardiokirugë. Ju po përdorni profesionin më të nderuarin e botës, atë të mjekut, për të rropatur pacientët.

Po mendojeni pak, sikur ju të nderuar kardiokirurgë, të ishit pacient, jo mjek. Edhe nëse s’do kishit, a nuk do i nxirrnit nga dheu lekët, për të shpëtuar zemrën e nënës, babait, fëmijës, gjyshes, gjyshit?

Pse kaq të pashpirt dhe lekist?

Gjatë 2025-ës, është bërë nami duke çuar pacientë në privat, (operohen nga kardiokirurgët e QSUT-së). Pra kardiokirurgët marrin me qira sallat e spitaleve private dhe bëjnë operacionet e atyre pacientëve që kanë shkuar në shtet, për t’u trajtuar. Në shtet këtyre pacientëve u është thënë se radha është 2-3 muaj. Pra detyrohen të shkojnë në privat pacientët e sëmurë nga zemra.

A mundet që mjeku të bëhet tregtar zemrash?

A mundet që një mjek të bëhet trafikant pacientësh? Po sekser?

Disa mjekë aty vërtetë janë të artë, por kanë vesin e keq të lekut, që artin e tyre, e shesin shtrenjtë. Ky nuk është humanizëm. Ky është korrupsion.

Kjo është skandaloze. Shëndetësia falas nuk ekziston. Ajo është vetëm propagandë. Shëndetësia është e kripur. Atë e paguajnë pacientët shtrenjtë pacientët. Si ai rasti, kur pacienti priste t’i rritej viçi, që ta shiste 800 mijë lekë, se një mjek (kirurg) aq i kishte kërkuar për operacionin). Por se tek kardiokirurgjia dhe neurokirurgjia, operacionet shiten shtrenjtë. Por për neurokirurgjinë do flasim një ditë tjetër.