Ballina Aktualitet Drejtoresha e AKM delegon detyrën mes hetimeve për mbetjet e rrezikshme të...

Drejtoresha e AKM delegon detyrën mes hetimeve për mbetjet e rrezikshme të KURUM

55
0

Marjeta Përlala, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, më datë 27 janar rezulton të ketë firmosur një urdhër për delegimin e detyrës tek Elona Uzmutlu. Mbetet e paqartë arsyeja e kësaj lëvizjeje, por gjasat janë që ajo të lidhet me hetimet e Prokurorisë për skandalin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë turke KURUM.

Një ditë më parë, në emisionin “Të Paekspozuarit”, gazetarja Klodiana Lala paralajmëroi për ecurinë e hetimeve të Prokurorisë për mbetjet e Kurum, të cilat u kthyen me anije në Shqipëri.

Lala zbuloi rezultatet që kanë ardhur nga laboratori në Itali, duke deklaruar se mbetjet kanë rezultuar të rrezikshme dhe se tani i takon Prokurorisë të zbardhë përgjegjësit dhe të verifikojë rolet e zyrtarëve.

“Pas një zvarritje të gjatë, Prokuroria e Durrësit dërgoi mostrat e kontejnerëve jashtë vendit, të cilat ruhen në Porto Romano. Nga informacionet që disponoj, më rezulton se përgjigja nga laboratori në Itali ka ardhur dhe mbetjet kanë rezultuar të rrezikshme. I takon Prokurorisë së Durrësit të përcaktojë personat përgjegjës, që kanë lejuar eksportimin e mbetjeve. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë sasi që mbahet e bllokuar, por në dokumentat që kam parë, që janë publike, më rezultojnë tonelata mbetje të rrezikshme të eksportuara jashtë vendit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për Kurum, por po ashtu duhet parë edhe një sërë kompanish të tjera. 102 kontejnerët në Porto Romano janë eksportuar nga kompania Sokolaj shpk në pronësi të Xhovana Sokolaj, e cila ka patur qëndrime të ndryshme në Prokurori. Duhet parë rrjeti i kompanive të tjera dhe roli i zyrtarëve. Nuk përfshihet vetëm Kurum dhe kompani të tjera, kam dyshime të forta që ka të përfshirë zyrtarë të lartë shtetërore.

A janë parë kodet me kujdes? Për secilën mbetje ka një kod të përcaktuar dhe procedura të veçanta për të dalë jashtë vendit. Shoh përgjegjësi brenda Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Doganat, Drejtoria e Tatimeve; janë një sërë institucionesh që nuk kanë funksionuar.

Nuk mendoj se ka ndodhur nga njerëz të thjeshtë kjo, por nga një grup i strukturuar dhe duhet parë përgjegjësia e tyre. Duhet të hetohen nga SPAK. Përgjigja ka ardhur, duhet analizuar në raport me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Është eksport i kryer në vende të tjera. Rrjeti i Bazelit dha alarmin, pretendoi se mbetjet ishin të rrezikshme.

Prokuroria ka pritur përgjigjen që ka mbërritur. Tani Prokuroria nuk ka arsye të vonohet dhe të japë përgjigje zyrtare, të identifikojë personat që kanë lejuar eksportin. Se kush janë, në varësi të pozicioneve, për kohën kur ka ndodhur ngjarja, në dokumentat që kam parë kam kuptuar se Kurum ka eksportuar sasi shumë më të mëdha se ato në Porto Romano. Hetimi duhet të shtrihet për kohë më të gjerë. Prokuroria e Durrësit nuk ka përgjigje konkrete, por nuk ka pengesë për të shkuar drejt arrestimeve. Se kur do ta bëjë, duhet ta thotë Prokuroria”, tha Lala./Vna